Site icon PORTALB

Arrihet marrëveshje për buxhetin e BE-së për vitin 2017

Parlamenti Evropian

Parlamenti Evropian ka arritur të enjten një marrëveshje mbi buxhetin e BE-së për vitin 2017, i cili në total kap shifrat prej 157.88 miliardë euro, raporton Anadolu Agency (AA).

Në dy kumtesa të ndara që janë publikuar sot nga Parlamenti Evropian dhe nga Këshilli i Evropës, thuhet se BE do të sigurojë përkrahje substanciale për të nxitur rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës, veçanërisht për të rinjtë e papunë, duke ndarë 21.3 miliardë euro, respektivisht 12 përqind nga buxheti i vitit 2017.

“Me një theks të veçantë në programet e orientuara për rritje dhe me të hollat shtesë për nismat ‘Erasmus’ dhe ‘Nisma për punësimin e të rinjve’, Parlamenti ka vendosur të investojë në të ardhmen. Kjo është ajo për të cilën Evropa ka nevojë tani”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Jean Arthuis, kryetar i Komitetit për Buxhetet.

Këshilli Evropian nga ana e tij ka deklaruar se buxheti përfshin 2.1 miliardë euro, të cilat kanë të bëjnë me angazhimet për programin “Erasmus” dhe 2.7 miliardë për investime strategjike, që nënkupton rritje për 19 përqind.

Sipas njoftimit, Bashkimi Evropian do të alokojë 500 milionë euro, mjete këto që do të ndahen për nismat për punësimin e të rinjve në mënyrë që të ndihmojnë këtë kategori më lehtë të gjejë punë.

Sa i përket krizës me emigrantët, BE do të sigurojë rreth 6 miliardë euro që është një rritje prej 11.3 përqind krahasuar me vitin 2016. Kjo shumë do të ndihmojë shtetet të ndërtojnë objekte, të forcojnë sigurinë kufitare, dhe të luftojnë krimin.

Para se të hyjë në fuqi, buxheti do të duhet të votohet në seancën parlamentare më 1 dhjetor.

Exit mobile version