PDK i përgjigjet Pacollit: S’e kemi njet me ndërru!

“S’e kemi njet me ndërru. Qekjo PDK kemi me vazhdu me qenë deri në fund”, tha për KALLXO.com sekretari i përgjithshëm i PDK-së Basri Musmurati lidhur me deklaratën e Behxhet Pacollit se AKR nuk do të bashkëpunojë me “PDK-në e sotme”.

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli në një konferencë për media tha sot se nuk do të bashkëpunojë me “PDK-në e sotme”.

Ndërsa, Basri Musmurati tha se PDK-ja do të vazhdoj të jetë kjo që është tani dhe se nuk do të ndryshojë.

“S’e kemi njet me ndërru. Qekjo PDK kemi me vazhdu me qenë deri në fund”, tha shkurtimisht për KALLXO.com sekretari i përgjithshëm i partisë kryesore në vend.

Ndërsa përfaqësuesit e dy partive opozitare, AAK dhe Nisma, e mirëpresin mundësinë që AKR-ja e Pacollit t’i bashkohet koalicionit të tyre.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, në një prononcim për KALLXO.com tha që janë në negociata me AKR-në por ende nuk ka diçka konkrete.

“Ne si bosht opozitarë AAK – Nisma asnjëherë s’kemi thënë se nuk jemi të hapur edhe për bashkëpunime të tjera, me subjekte politike por edhe me personalitete të tjera të jetës akademike e intelektuale. Në këtë kuptim sigurisht që edhe me AKR-në është i mundur bashkëpunimi. Jemi në negociata po diskutohen modalitetet e bashkëpunimit, por ende asgjë s’kemi konkrete”, tha Lekaj për KALLXO.com

E për një bashkëpunim me AKR-në pajtohet edhe Nisma për Kosovë.

Sekretari i kësaj partie, Bilall Sherfi, tha për KALLXO.com se ata janë të hapur për të biseduar me forcat e tjera politike për të forcuar boshtin opozitar.

“Që nga arritja e marrëveshjes mes AAK-së dhe Nismës për koalicion parazgjedhor kemi deklaruar se ky nuk është një koalicion i mbyllur dhe se jemi të hapur për të biseduar edhe me forca tjera politike, personalitete të jetës publike dhe nga shoqëria civile, të cilët janë të gatshëm të kontribuojnë në ndërtimin e boshtit opozitar që për synim do të ketë fitoren në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, tha Sherifi.

Sot gjatë ditës kreu i Aleancës Kosova e Re nuk e ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me AAK dhe Nismën, mirëpo ka përjashtuar mundësinë e koalicionit me “PDK-në e sotme” dhe me Isa Mustafën, që sipas tij e kanë ngulfatur vendin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button