Site icon PORTALB

Një tragjedi e paralajmëruar! Si u neglizhua ankesa e punëtorëve të Ballshit për valvulën që shkarkonte

Ballsh

Një shpërthim i fuqishëm i ndodhur në qendër të uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh i mori jetën një punëtori. Një tragjedi që mund të ishte shmangur nëse do të ishin marrë parasysh paralajmërimet e punonjësve për një valvul shkarkimi e cila nuk punonte.

Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj në një lidhje telefonike për mediat tha se personi që ka humbur jetën është identifikuar, por zgjodhi të mos e thotë emrin në transmetim të drejtpërdrejtë duke thënë se “ishte një miku jonë” për të cilin e pati të vështirë t’i thotë emrin.

Express mëson se viktimë e këtij shpërthimi mbeti 40-vjeçari Sh.Muça nga Ballshi.

Sipas tij, nga bisedat që ka pasur me një prej teknikëve në rafineri, dyshohet që shkak për shpërthimin të jetë bërë valvula që shkarkonte.

“Ka qenë e shkruar në procesverbal 3-4 ditë më parë, ishin njoftuar edhe eprorët, që valvula nuk punonte dhe shkarkonte. Ishte rritur presioni në maksimum dhe në atë moment ka shpërthyer”, – tha ai.

Sipas informacioneve të para nga vendngjarja, valvula dyshohet të ishte e një pompe hidrogjeni.

Kryebashkaiku i Mallakastrës tha se shpërthimi ka qenë mjaft i fuqishëm, dhe se ka ndodhur në repartin numër 3 të uzinës. 

Foto nga shperthimi ne repartin numer 3

Ai tha se njerëzit kanë dalë të djegur dhe të plagosur, ku 6 prej tyre janë dërguar në një gjendje më të rëndë në spital, ndërsa të gjithë punëtorët e tjerë janë evakuuar.

Ai foli edhe për një tjetër problematikë, siç është ajo e mungesës së një ambulance në uzinë.

“Një ambulancë është jashtë pune prej vitesh dhe nuk punon”, – tha ai.

Sipas tij, rreziku tashmë ka kaluar dhe nuk ka rrezikshmëri për shpërthime të tjera pasi forcat zjarrfikëse kanë mundur të vënë nën kontroll flakët e zjarrit.

Në uzinë në turnin e natës mendohet të kenë qenë rreth 100 punëtorë.

Exit mobile version