RDM i zgjodhi kandidatët për deputetë
Bordi qendror i Rilindjes Demokratike të Maqedonisë (RDM) mbrëmë i zgjodhi kandidatët për deputetë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe solli vendim për pjesëmarrjen e koalicionit në suaza të koalicionit opozitar të udhëhequr nga LSDM.
Kandidatët për deputetë janë Maja Moraçanin, kumtojnë nga RDM, vendi i katërt fitues në Njësinë e dytë zgjedhore, nga e cila pozitë paraprakisht u tërhoq Liljana Popovska, kryetare e partisë. Popovska do të jetë kandidate për deputet në Njësinë e parë zgjedhore, ndërsa Valentin Tasevski nga Tetova në Njësinë e gjashtë zgjedhore.
Nga RDM sqarojnë se edhe krahas përpjekjeve të tyre për pjesëmarrje të pavarur, kanë vlerësuar se për momentin është i domosdoshëm grupimi i forcave, që të arrihen ndryshime në drejtim të shtetit juridik funksional dhe demokratik. Partneri i koalicionit, ashtu siç informojnë, ka ndërmarrë obligim se do të sigurojë ndryshim të modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore me lista të hapura, si dhe realizimi i një numri të prioriteteve nga programi i gjelbërt i RDM-së.