Site icon PORTALB

Këngëtari Michael Buble njoftoi për sëmundjen e djalit

Michael Buble

Michael Buble

Këngëtari Michael Buble po kalon momente shumë të vështira në jetën e tij familjare. Ai ka bërë një njoftim tronditës në profilin e tij në Facebook, ku mes të tjerash ka bërë të ditur se ka anuluar të gjitha angazhimet profesionale.

“Jemi të tronditur për diagnozën e fundit të djalit tonë të madh, Noah, që ka rezultuar me kancer”, ka njoftuar Buble.
Artisti kanadez ka deklaruar se, aktualisht djali i tij ndodhet për mjekim në Shtetet e Bashkuara.
“Unë dhe Luisana i kemi lënë karrierat mënjanë për t’i kushtuar gjithë kohën dhe vëmendjen tonë djalit, për ta ndihmuar të shërohet”, ka thënë Buble, i cili gjithmonë e ka shprehur rëndësinë e të qenit baba.

Përmes mesazhit të tij, ai u ka kërkuar të gjithë fansave e ndjekësve në rrjetet sociale që të luten për Noah, por edhe respektimin e privatësisë.

Michael Buble me familjen

“Kemi një rrugë të gjatë përpara dhe shpresoj se, me mbështetjen e familjes, miqve dhe fansave në të gjithë botën do të mund ta fitojmë këtë betejë, natyrisht me vullnetin e Zotit”, ka thënë Buble.

Mediat raportojnë se Noah u diagnostikua me kancer kur vizitoi mjekët pasi kishte dyshime se ishte me shyta.

Muzikanti kanadez dhe aktorja e modelja argjentinase sollën në jetë djalin e dytë, Elia, në janar të këtij viti.

Muajin e shkuar, Buble foli për BBC-në për dashurinë që ka për djemtë.

Exit mobile version