Site icon PORTALB

Bankat me më shumë klientë, sesa numri i banorëve të Kosovës

Ilustrim

Rreth dy milionë llogaritet të jetë numri i klientëve në dhjetë bankat komerciale në Kosovë. Ky numër, është i përafërt me numrin e tërësishëm të popullatës së Kosovës, transmeton REL.

Barazimi i numrit të klientëve të bankave me numrin e popullatës, nga zyrtarët e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës shpjegohet me faktin se një klient mund të posedojë më shumë se një llogari në këto banka.

Nga ky numër 1.8 milionë janë llogari individuale, kurse mbi 130 mijë llogari të bizneseve.

Sipas ekspertëve të ekonomisë dhe përfaqësueseve të Shoqatës së Bankave, ky numër i lartë është rezultat i stabilitetit bankar dhe flet për vetëdijesimin e qytetarëve që qarkullimi i mjeteve të bëhet në mënyrë ligjore.

Bazuar në raportin e publikuar të premten nga Banka Qendrore e Kosovës, thuhet se rreth 2.2 miliardë është vlera e kredive, kurse mbi 2.7 miliardë euro ka arritur vlera e kursimeve të qytetarëve në këto institucione financiare.

Aktiviteti i bankave komerciale, si një nga sektorët më profitabil në Kosovë, dominohet nga kreditë, afati i maturimit të të cilave mund të jetë deri në 15 vjet, varësisht nga lloji i kredisë. Nga totali i kredive, 65.2 për qind janë kredi për ndërmarrjet.

Exit mobile version