Dy trajnues ushtarakë amerikanë janë vrarë të premten jashtë një baze ushtarake në jug të Jordanisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Agjencia e lajmeve Petra ka cituar një burim ushtarak jordanez të ketë thënë se ushtarakët amerikanë janë vrarë duke hyrë me automjetin e tyre në bazën ajrore “Princi Faisal”, në provincën Maan.
Sipas raporteve fillestare tek të cilat ka ardhur agjencia Petra, shoferi i automjetit nuk ka respektuar urdhrin e rojes në portë për të ndaluar.
Një oficer ushtarak jordanez dhe një trajner tjetër amerikan janë plagosur gjatë shkëmbim zjarrit që pasoi, thuhet në informacionin e agjencisë ku nënvizohet se ka nisur një hetim zyrtar për të zbardhur incidentin në fjalë.
Pasi Petra fillimisht publikoi lajmin, pasoi një version i dytë në të cilin u hoq fjalia se trajnuesit amerikanë nuk kanë respektuar urdhrin për ndalim.
Një burim qeveritar më vonë tha për AA se raporti fillestar i Petras kishte qenë “paraprak”.
Duke folur në kushte anonime, burimi në fjalë tha se detaje të plota mund të publikohen vetëm pasi të ketë përfunduar hetimi.