Site icon PORTALB

Bojkot kot

Ramadan Ramadani

Ramadan Ramadani

Momenti aktual i zgjedhjeve të shpallura për kryetar shteti në Maqedoni shënon një datë të rëndësishme në historinë e politikës në Maqedoni. Ai është posaçërisht interesant për faktorët politik shqiptarë të këtushëm. Aq sa besoj që do jetë një prej momenteve të spikatura, nesër, kur të shkruhet dhe shënohet historia e politikëbërjes shqiptare në Maqedoni. Kurse, sot vetëm mund të themi se: ja, e pamë edhe këtë ditë! 

Ditë kjo kur kryeministri i vendit në një mënyrë “aspak s’më bëhet vonë” jep deklaratë se nuk beson se partitë shqiptare do bojkotojnë dhe se nëse bojkotojnë do e kuptojnë se e kanë gabim?!

Pra, këto ditë vota shqiptare e artikuluar nëpërmjet faktorëve politik ekzistues ka arrit që vetëm të vlejë sa për të kërcënuar me bojkot. Kjo pasi më parë me asnjë qëndrim të tyrin politik këto faktorë nuk kanë arrit të rruajnë atë që gjithmonë e kishte vota shqiptare në zgjedhjet presidenciale në Maqedoni: të qenit vendimtar.

As që arritën, deri më tani, të marrin guximin duke bërë së pari një konsensus etnik dhe të nxjerrin një kandidat shqiptarë, me çka, nëse asgjë, së paku do shëronin pak fobinë prezente nga mundësia e të qenurit edhe një shqiptari etnik kryetar i shtetit të Maqedonisë.  
Kërcënimi me dhe aplikimi i bojkotit nuk bën asgjë në këtë rast dhe rrezikon të jetë vetëm një qëndrim pa ndonjë efekt politik. Kjo pasi radhën e kaluar, edhe me votat e njërës parti shqiptare u ul censusi i nevojshëm për këto zgjedhje dhe ai tani është në masën e arritshme me vetëm 40% të votuesve. Në rast se edhe opozita maqedonase ka kandidat dhe i njëjti vazhdon të garojë edhe në rrethin e dytë, kërcënimi për bojkot nga ana e partive shqiptare mund që mos të ketë aspak efekt. 

Njashtu, bojkoti i paralajmëruar kësisoj mund të edhe të mos dale i efektshëm, ngase këto janë të njëjtat parti që nuk mund të sigurojnë dalje të madhe të shqiptarëve në votime të ndryshme, ashtu që nuk mund të sigurojnë as ndalje të votimit. Ashtu, kandidatë të pavarur, të opozitës apo edhe kandidati i partisë shovene në qeveri mund që të zgjedhin t’i drejtohen edhe elektoratit shqiptar, dhe prej të njëjtit të mund të sigurojnë edhe vota.

Këto dhe zhvillime tjera rreth këtyre zgjedhjeve mund ta bëjnë që edhe bojkoti i paralajmëruar i tërësishëm i faktorit politik shqiptarë të mund të dale jo si një qëndrim politik, por vetëm një qëndrim mekanik; sa për të thënë se kanë një qëndrim. 

Pasi ka dallim bojkoti politik me një bojkot kot. Kjo pasi bojkoti efektiv konsiston që të ketë pasoja efektive. Kjo bëhet duke qenë një bojkot i tërësishëm, duke mos marrë pjesë aspak në ato zgjedhje, as edhe deputetët në shpallje të tyre; duke bojkotuar edhe institucionet e angazhuara për këto zgjedhje, por edhe duke thirrur aktivisht për këtë bojkot. Mandej mund që të kushtëzohet me ligj të ri për presidentin e shtetit. Ligj ku do sigurohej ende më shumë aspekti ligjor dhe kushtetues që presidenti simbolizon kombin në tërësi dhe nuk është kryetar vetëm i dikujt-dikujt. Kjo që të mos mund të injoron shqiptarët ose ndonjë grup tjetër të qytetarëve të vendit, sikur që në shumë raste ishte rasti me kryetarin e tanishëm i cili duke injoruar shqiptarët dhe të tjerët pati përfundim qesharak me kravata dhe gjësende tjera, ku kishte harxhuar paratë publike e të gjithë qytetarëve. Me një shumë ekzakte ndër pesë mijë euro, sa për të iu shmangur komplikimeve me opinionin dhe ligjet. 

Kjo dhe shumë opsione tjera politike mund të trajtoheshin në mënyrë institucionale dhe do e bënin një bojkot, më të plotë dhe më të suksesshëm. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version