Mbi 6 tonë mish pa afat në bizneset e zv. kryeministrit të Kosovës Ramiz Kelmendi

Ditën që Ramiz Kelmendi po festonte arritjen më të madhe në karrierën politike, policia po bastiste bizneset e tij në Pejë. Ai pritet të përballet me drejtësinë për dyshim se ka rrezikuar jetën e qytetarëve me mish pa afat.

 

Gazeta Fjala mëson se në qendrën tregtare ETC dhe Fabrikën e Përpunimit të Mishit “ELKOS” në këtë qytet, javën e kaluar, forcat e rendit kanë gjetur 6 mijë e 600 kg mish pa afat e të cilit nuk i dihej as prejardhja.

Zëvendës kryeministri Kelmendi nuk ka dashur të thotë asnjë fjalë.

Ndërkaq, në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës kanë thënë se lënda rreth kësaj çështjeje do të procedohet në gjykatë, dhe policia do ta trajtojë këtë rast.

“Në “ETC” janë asgjësuar 500 kg mish pule, peshk dhe prodhime peshku, të cilat nuk i kanë përmbushë kushtet për konsum, kurse në “ELKOS”, në fshatin Zahaq të Pejës, janë gjetur 3100 kg mish gjedhi pa të dhëna mbi prejardhjen e mishit, kurse 3000 kg kanë qenë produkte të tjera të mishit si: salsiqe, sallama të pulës, suxhuk shtëpiak, mish i tymosur etj, të cilat kanë qenë të prishura”, ka thënë Lamir Thaçi, zyrtar për informim në AUV.

Për ta evituar rrezikun te qytetarët produktet e konfiskuara, janë asgjësuar në deponinë e mbeturinave, në fshatin Sferkë të komunës së Pejës, në prani të zyrtarëve policor, pjesmarrësve në aksion si dhe inspektorëve veterinar të AUV-së.

AUV fshehu rastin

Qytetarë të shumtë në vazhdimësi kanë raportuar për produkte të ndryshme pa afat dhe cilësi të dyshimtë në rrjetin e marketeve në pronësi të tashmë zëvendëskryeministrit të Kosovës, Ramiz Kelmendit.

Por shqetësimi më i madh është për produkte të mishit, sikur në këtë rast kur një qytetarë ka alarmuar pasi konfiskimi ishte mbajtur fshehtë nga organet e rendit.

Tek pas insistimit të Gazetës Fjala është bërë publike nga AUV se në bizneset e Kelmendit janë gjetur produkte të ngjashme.

Ky nuk është rasti i vetëm kur qytetarëve u ofrohet në treg mish me prejardhje dhe afat të dyshimtë.

Më 4 tetor të këtij viti Dogana e Kosovës ka arritur që të bllokojë një sasi të madhe të mishit të ardhur nga Belgjika, i cili rezultoi të jetë pa afat. Sasia konfiskuar e mishit të gjedhit, e më pas edhe e asgjësuar, ka qenë rreth 20 ton, ndërsa kompania kosovare importuese dyshohet të jetë nga qyteti i Pejës.

Mish i dyshimtë në sofrat e kosovarëve

Në sofrat e kosovarëve jo rrallë herë gjenden produkte të mishit. Madje ky produkt del të jetë më i pëlqyeri për qytetarët e Kosovës.

Vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti në Kosovë kanë hyrë hiç më pak se 38 milionë kilogram mish.

Derisa në vit më herët 45 milionë kilogram është konsumuar, shkruan Gazeta Fjala. Por të shpeshta janë rastet kur qytetarët ankohen për cilësinë e mishit që ata e konsumojnë.

Muajin e kaluar janë raportuar disa raste kur lopët e sëmura me sëmundjen gungore, janë shitur tek pronarët e mishtoreve pavarësisht se ishte i ndaluar konsumi i mishit të tyre.

Për këtë çështje po ankohet edhe kryetari i  organizatës ‘Konsumatori’ Selatin Kaçaniku.

Ai në një prononcim për Gazetën Fjala, pati thënë se jo rrallë herë konsumatorëve kosovarë iu servohen ushqime të rrezikshme.

“…duke u nisur nga kjo , ne mund të arrijmë në konkludimin se akoma mungon përkushtimi i duhur që qytetari konsumator të merret në mbrojtje ashtu siç e parasheh ligji për mbrojtjen e konsumatorit”, ka thënë Kaçaniku për Gazetën Fjala.

Ai ka thënë se ka shumë raste konkrete kur qytetarët janë ankuar për cilësinë e mishit.

“.. unë e kam ngritur shqetësimin tim në rastin e prodhimit të suxhukut, rast ky i cili është dashur që të ngris alarm në të gjithë opinionin dhe mekanizmat”, ka thënë më tej Selatin Kaçaniku.

Ai ka thënë se ushqimi  ka siguri as sa kanë siguri zbatimi i ligjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button