Site icon PORTALB

Ka ngelur vetëm propaganda, kur dështon ironia me vend dhe gazetaria

Teksti në Fakte për BDI dhe aktivizimin e 15.000 aktivistëve për zgjedhjet

[Recension: “A kanë ngelur 15 mijë “aktivistë” të BDI-së, pas të gjitha dështimeve të klanit të Zajazit?”]

Ky artikull bën pjesë në kategorinë e teksteve, qëllimi i të cilëve nuk është informimi i publikut në mënyrë objektive dhe të balancuar, por diskreditimi i një subjekti, me vlerësime personale dhe subjektive nga vetë autori.

Linku deri te artikulli origjinal: “A kanë ngelur 15 mijë “aktivistë” të BDI-së, pas të gjitha dështimeve të klanit të Zajazit?”

Data dhe koha e publikimit: 24.10.2016

Data e recensionit: 27.10.2016

Recensues: Fatlume Dervishi

Ditë më parë, gjatë aktivizimeve të para të aktivistëve të BDI-së për procesin zgjedhor, shefi i shtabit Bekim Neziri dha këtë deklaratë:

“15.000 aktivistë janë tërësisht të gatshëm t’i ndjekin orientimet dhe rekomandimet e Shtabit qendror zgjedhor dhe liderit Ali Ahmeti.”, theksoi shefi i shtabit zgjedhor, Bekim Neziri, gjatë shpalosjes së planit për fillimin e fushatës parazgjedhore, transmeton Fakte. Neziri theksoi se “përplasja mes subjekteve maqedonase tregon se BDI bën politikë evropiane, dhe ajo do vazhdojë në këtë drjtim”.

Deklarata e Bekim Nezirit është marrë si e tërë dhe është trajtuar nga një kënd tjetër. Kjo është e pranueshme. Por, nuk është e pranueshme të japësh konstatimet dhe mendimet tua si gazetar në një përmbajtje informative, pa pyetur të paktën subjektin në fjalë nëse vërtetë është ashtu. Poa ashtu, nuk është e pranueshme që gazetari t’i japë konotacion apo kontekst tjetër deklaratës, duke e shtrembëruar atë.

“Por, a kanë ngelur vërtetë 15 mijë shqiptarë që kanë aq hall të madh, saqë të rreshtohen pas urdhërave të Bekim Nezirit dhe klanit të Zajazit, pas të gjitha dështimeve të kësaj partie?!

Afera, skandale, korrupsion, kriminalitet i organizuar, keqpërdorim të pushtetit, vasalitet ndaj partnerit maqedonas, shitje të kauzës kombëtare, varfërim të shqiptarëve, largim masiv të tyre nga trojet, nënçmim, përbuzje, terrorizim, montime, vrasje, burgime të përjetshme,…..”

Teksti pretendon se shqiptarët nuk duhet të shesin votën e tyre, duke lënë të nënkuptohet se kjo është bërë më herët, por nuk thuhet kur, ku dhe si e ka është konstatuar kjo. Më tej, vazhdohet me pretendimet se “shqiotarët e Maqedonisë sot janë në gjendje të mjerueshme si asnjëherë më pare…” kurse  “…ca individë të vazhdojnë të pasurohen me paratë tona, duke na e vrarë lirinë, njëkihësisht.”

KODI ETIK:

Provimi i të dhënave dhe saktësia janë imperativ moral i gazetarësisë, prandaj gazetari është i obliguar ta provojë informacionin prej sa më shumë burimeve, të paktën prej dy burimeve të pavarura.

Gazetari duhet të sigurojë “palën e dytë”, respektivisht t’u japë mundësi të dy palëve të interesuara të produktit gazetaresk ta shprehin qëndrimin e tyre. Kjo edhe më tepër vjen në shprehje kur gazetari shpreh dyshime ose akuza ose kur dikush është objekt i sulmit apo kritikës.

Është obligim i gazetarit që të vihet në anën e publikut, popullatës dhe interesave të tyre. Të parandalojë keqpërdorime dhe shkelje të të drejtave të tyre, duke informuar publikisht për to dhe duke obliguar “keqbërësit” të japin llogari para publikut. Por, kjo nuk është kaq e lehtë. Duhen bërë hulumtime, duhen nxjerrë në shesh keqpërdorimet me fakte, me citime të ekspertëve të fushës dhe duke kërkuar llogari edhe nga personi apo subjekti, ndaj të cilit bien akuzat.


Ky recension është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Exit mobile version