Talebanët afganë të lidhur me grupin Shteti Islamik (SHI) mbrëmë kanë vrarë të paktën 30 civilë, duke përfshirë edhe fëmijë, të cilët paraprakisht i kanë rrëmbyer në provincën qendrore Gor, kumtoi sot guvernatori provincial Hariz Haze.
Ai theksoi se vrasjet janë kryer si hakmarrje për vdekjen e një komandanti lokal të SHI-së.
“Forcat afgane të sigurisë, me ndihmën e popullatës lokale dje zbatuan operacion gjatë të cilit u vra një komandant i SHI-së i quajtur Faruk. Si hakmarrje të vrasjes, xhihadistët, rrëmbyen tridhjetë fshatarë, nga të cilët shumica bujq. Trupat e tyre të shpuar nga plumbat janë gjetur sot në mëngjes nga banorët lokalë”, deklaroi Haze.
Një përfaqësues i autoriteteve në provincë deklaroi se autorët e krimit janë anëtarë të grupit të shkëputur taleban, i cili vitin e kaluar u betua në besnikëri në degën e SHI-së në Afganistan.
Forcat qeveritare ndërkohë kanë likuiduar të paktën 45 luftëtarë, duke përfshirë 19 terroristë nga SHI-ja në provincën lindore Nangarhar.