Ky objekt simbolik dhe ky kryq me një liber janë vendosur në vendin ku lindi At Gjergj Fishta, i cilësuar si Homeri i letërsisë shqiptare. Pak kush e njeh sot këtë vend, që dikur ka qenë shtëpia e Fishtës, pasi vëmendja është fokusuar tjetërkund, në një banesë ku Fishta ka jetuar një pjesë të jetës së tij, e cila sot ka pronarët e saj legjitim, të cilët në vitin 2012 kanë kundërshtuar një projekt për restaurimin e saj.
Por si është e vërteta e shtëpive të Fishtës
Për shtëpinë e At Gjergj Fishtës ka dy shpallje si Monument Kulture i Kategorisë së Parë.
Shpallja e parë është bërë në vitin 1991, me vendimin nr.4 dt.07.05.1991 nga Komiteti i Kulturës dhe Arteve dhe i përket shtëpisë ku ka lindur poeti, e cila ka ekzistuar deri në vitin 1994 kur është shkatërruar nga banorët e zonës.
Në këtë vend, vitin e kaluar nga ana e DRKK Shkodër janë bërë gërmime dhe janë gjetur fragmente të themeleve. Sot ajo zonë është e rrethuar me rrjetë, ku është vendosur një kryq dhe një libër simbolik.
Për këtë objekt në vitin 2012 është hartuar një projekt, madje ka patur edhe një fond për restaurimin e saj por që është kundërshtuar nga pronarët.
Sot kjo banesë është mjaft e dëmtuar pasi pronarët, të cilët nuk banojne në të e kanë kthyer për përdorime të tjera.
Në një intervistë të vitit 2015, zv. ministri i Kulturës, Zef Çuni sqaronte: “Kjo shtëpi në vitin 2012 ka pasur një projekt restaurimi dhe është dhënë një fond por që pronarët kanë kundërshtuar restaurimin e saj, duke pretenduar që t’u jepen tre shtëpi të reja. Kërkesa e këtyre pronarëve është bërë në drejtorinë rajonale dhe më pas kanë njoftuar dhe Ministrinë. Shteti nuk është pronar i të gjithë shtëpive, por shtëpitë që kanë pronarë ka një ligj që përcakton që 60% e paguan shteti dhe 40% e paguan pronari për restaurim por në rastin në fjalë të gjithë shumën do ta paguante shteti”, duke vijuar më tej me shpjegimin ligjor se “Trashëgimtarët e Fishtës nuk kanë as dokumente pronësie kështu që edhe për të krijuar një punim aty, duhet të kesh një dokument pronësie dhe unë personalisht kisha ngarkuar sektorin e Lezhës që ti ndihmonte në hipotekë që të merrnin tapinë dhe nuk e kanë nxjerrë edhe sot e kësaj dite”.