Kezharovski dhe dhjetëra gazetarë ende nuk kanë informata se në cilën fazë gjenden paditë që kanë parashtruar kundër një kryerësi të panjohur për përgjim të paligjshëm, pasi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në konferencën për shtyp ua dorëzoi mbi 20 gazetarëve bisedat e përgjuara të transkriptuara, transmeton televizioni 21.
“Informatën që kam qenë i përgjuar parimisht e kam ditur, mirëpo doli edhe zyrtarisht në konferencën për shtyp kur lideri i opozitës e shpalosi listën me njerëzit e përgjuar në kompjuterët e ministrisë së brendshme. Sipas asaj që e posedoj si material, unë jam në mesin e dhjetë personave që kanë qenë objekt i audio dhe video përgjimeve. Emri im i koduar ka qenë “Kërcënimi i trefishtë”, nuk e di kush ka qenë kumbari për këtë emër. Unë dhe disa gazetarë përmes SHGM-së kemi parashtruar padi në Gjykatën Themelore Shkup se kemi qenë “target” i strukturave të MPB-së. Padia është drejtuar kundër një kryerësi të panjohur”, tha Kezharovski.
Përveç gazetarëve, CD me materiale kanë marrë edhe funksionarë tjerë. Megjithatë, avokati Valentin Zafirov deklaroi se padia e funksionarëve kundër operatorit, do të pasqyrohej negativisht në karrierat e tyre.