Ka ndërruar jetë në moshën 75 vjeçare këngëtarja e mirënjohur Vaçe Zela. Këngëtarja e identifikuar si “Mbretëresha e Këngës Shqiptare”, ndërroi jetë në Bazel të Zvicrës si pasojë e një sëmundje të gjatë nga e cila vuante.
Trupi i saj i pajetë pritet të vijë ditën e nesërme në Shqipëri, duke plotësuar kështu amanetin e saj për tu prehur në Shqipëri.
Vaçe Zela ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës në Radio dhe më vonë në Radiotelevizion që prej organizimit të parë të tyre, duke fituar plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur deri më sot. Vaçe Zela është fituesja e parë e Festivalit të Parë. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës.
Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave. Prej disa vitesh ajo jetonte në Zvicër. Po ashtu theksojmë se Vaçe Zela është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga Presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.”
Për nder të këngëtares, viti 2009 është shpallur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.