Më 17 tetor 2016, dy gazetarët amerikanë, Barbara Cochran dhe Xhon Cochran, para studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës mbajtën një ligjëratë me temë: ,,Zgjedhjet në Amerikë dhe mediumet”.
Ligjërata ishte e fokusuar kryesisht në zgjedhjet presidenciale të cilat do të mbahen më 8 nëntor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në garë për President të SHBA-ve garojnë demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump. Në këtë ligjëratë gazetarët Barbara Cochran dhe Xhon Cochran diskutuan edhe për rolin e medias që ka në këto zgjedhje, si dhe ndikimin e saj tek trupi elektoral. Ata, po ashtu u shprehën se qytetarët përmes medies njoftohen në mënyrë precize, të shpejtë, si dhe objektivisht, lidhur me orientimet politike dhe programore nga kandidatët e partive politike që marrin pjesë në zgjedhje. Gjatë kësaj ligjërate, studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, e në veçanti ata të katedrës së gazetarisë, parashtruan një sërë pyetjesh për dy gazetarët amerikanë.
Gazetarja Barbara Cochran ka një karrierë të bujshme, karriera e së cilës përfshin punë të nivelit të lartë në transmetim, shtyp dhe punë në organizata jofitimprurëse. Është kryetare e Curtis B. Hurley në gazetarinë e marrëdhënieve me publikun në Shkollën e Gazetarisë në Misuri. Cochran është e angazhuar në Drejtorinë e Arsimit në Uashington, D.C., ku ajo e ka kaluar të gjithë karrierën e saj. Ajo punon në Fakultetin e Shkollës së Gazetarisë si ligjëruese për studentët. Cochran, gjithashtu angazhohet në programet e kërkimit, konsultimit dhe trajnimit, që synojnë përmirësimin e praktikës së gazetarisë, ku punon me Komisionin e Gazetarëve të Interesuar, gjithashtu me seli në Uashington, dhe në Institutin e Gazetarisë Donald W. Reynolds.
Cochran ka shërbyer për 12 vjet si Kryetare e Shoqatës së Lajmeve Digjitale Radiotelevizive, organizata më e madhe në botë, në shërbim të profesionit të lajmeve elektronike. Në RTDNA, Cochran ka promovuar të drejtat e gazetarëve sipas Amendamentit të Parë, ka ndërmarrë nisma në etikë dhe diversitet, si dhe e ka udhëhequr anëtarësimin e shoqatës së gazetarëve digjitalë në këtë shoqatë. Gjatë kryesimit të saj RTDNA mori Medaljen e Nderit të Misurit, me motivacion për Shërbim të Dalluar në Gazetari. Më parë, Cochran ka shërbyer si redaktore udhëheqëse në Washington Star (Ylli i Uashingtonit), nënkryetare e lajmeve në Radion Publike Kombëtare, producente ekzekutive dhe nënkryetare e Meet the Press, rrjetit televiziv NBC dhe zëvendëskryetare e shefe e Zyrës së CBS News në Uashington. Ajo i ka mbikëqyrur raportimet prej aferës Watergate deri te Lufta e Gjirit Persik dhe ka luajtur rol kryesor në raportimin për çdo palë zgjedhje dhe konventa politike për 24 vjet. Në NPR, ajo e drejtoi formimin e Morning Edition, programi që e forcoi pozicionin e NPR-së si një ofrues thelbësore i lajmeve kombëtare. Gjatë kryesimit të saj, NPR fitoi dy Çmime DuPont-Columbia. Cochran është e njohur për një sërë çmimesh, duke përfshirë Çmimin e Institutit për Media ,,Liria e Shprehjes”, Çmimin ,,Amendamenti i Parë Edith Wortman” të Fondacioni AWC Matrix, Çmimin ,,,Gjigantët e Transmetimit” të Bibliotekës Amerikane të Transmetimit dhe Çmimin e RTDNF ,,Amendamenti i Parë”.
Cochran ka shërbyer si gjykatëse për Çmimet DuPont-Columbia, George Foster Peabody dhe Hearst Collegiate Journalism. Ajo është anëtare e Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë dhe e Këshillit të Akreditimit të Arsimit në Gazetari dhe Komunikimit Masiv. Cochran është bashkëkryetare e Fondacionit Media Ndërkombëtare e Gruas. Cochran ka marrë titullin master në Fakultetin e Gazetarisë të Universitetit Kolumbia në Nju Jork dhe një diplomë nga Kolegji Swarthmore në Pensilvani.
Ndërsa gazetari Xhon Cochran është korrespondent televiziv në pension, i cili ka njohur çdo president që nga Duajt Ajzenhauer, ka mbuluar çdo përballje të madhe në Uashington dhe ka raportuar për ngjarje ndërkombëtare, duke filluar nga kriza e pengjeve në Iran deri në rënien e komunizmit në Evropën Lindore dhe në fund të aparteidit në Afrikën e Jugut. Ai u bashkua televizionit ABC News në vitin 1994 si shef korrespondence nga Kapitol Hill, ka mbuluar orvatjen e pasuksesshme të Bob Dolit për president dhe ishte korrespondent i lartë në Shtëpinë e Bardhë në dy vitet e fundit të administratës Klinton.
Nga janari 2001 deri në pensionimin e tij në vitin 2011, ishte korrespondent i lartë i televizionit për Uashingtonin. Përpara se të bashkohet me ABC-në, Cochran ka punuar për 21 vjet në NBC, edhe si korrespondent në Uashington edhe jashtë shtetit, duke i mbuluar apo raportuar për qeveritë Regan, Xhorxh H.W. Bush, Nikson, Ford dhe Karter. Nga viti 1978 deri në vitin 1987 ai ishte i vendosur në Londër dhe u bë korrespondent kryesor për jashtë i televizionit NBC.
Zyra për informim