Site icon PORTALB

Britania e Madhe merr fëmijët refugjatë nga Franca

Refugjatët (foto arkiv)

Ndërkohë që Britania e Madhe ka marrë 14 fëmijë refugjatë nga kampi i refugjatëve në Calais të Francës, në vend kanë nisur diskutimet në lidhje me moshën e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Mësohet se 14 fëmijët refugjatë të ndarë nga familjet e tyre janë marrë në Britani pasi aty kishin të afërmit e tyre. Ndërsa disa media vendase duke publikuar foto të fëmijëve, kanë hedhur dyshime mbi moshën e tyre.

Deputet i Partisë Konservatore në Britani, David Davies, duke thënë se refugjatët kishin rrudha poshtë syve të tyre, ka kërkuar që të bëhen teste moshe duke përdorur testin e dhëmbëve.

Ndërsa Shoqata e Dentistëve Britanikë e ka cilësuar se jo etike thirrjen e Davies-it dhe ka dalë kundër kësaj kërkese.

Ndërsa burime nga Ministria e Punëve të Brendshme e Britanisë, kanë deklaruar se historitë e treguara nga fëmijët do të hetohen. Kjo ministri ka thënë gjithashtu se ata janë marrë në vend pas disa kontrolleve përkatëse.

Ndërsa BBC në një lajm në lidhje me këtë çështje, ka thënë se MPB ka marrë shenjat e gishtërinjve të fëmijëve, me anë të së cilëve do të kryejë dhe hetimet përkatëse.

Në Britani nuk bëhet test dhëmbësh për të konstatuar nëse refugjati është ose jo mbi moshën 18 vjeç. Nëse nuk ka një dokument që të mos vërtetojë moshën e tij, zyrtarët vendosin për ta duke shikuar veprimet dhe pamjet e jashtme të tyre. Sipas statistikave të MPB të Britanisë, thuhet se gjatë vitit 2015, 371 refugjatë nga 574 të dyshuar kanë rezultuar të jenë mbi moshën 18 vjeç. Nga 11.121 refugjatë të hetuar që nga viti 2006, 4.828 kanë rezultuar të rritur.

Britania e Madhe ka deklaruar se do të pranojë 20 mijë refugjatë sirianë deri në vitin 2020. Por këto refugjatë ajo është zotuar ti marrë nga Turqia, Libani dhe Jordania, duke i zgjedhur.

Krahas kësaj, OJF në vend i bëjnë presion qeverisë për të pranuar fëmijët që ndodhen në kampin Calais të Francës.

 

Exit mobile version