Site icon PORTALB

Maqedonia do të jetë nikoqir i Shtabit kryesor të Brigadës së EJL-SIBRIG

Zoran Jolevski

Zoran Jolevski

Në takimin e ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të nismës për bashkëpunim në Evropën Juglindore (SEDM) që u mbajt në Romë, Itali është marrë vendim që Republika e Maqedonisë të jetë nikoqire e Shtabit kryesor të Brigadës së Evropës Juglindore (SIBRIG) në periudhën nga viti 2020-2026.

Siç njoftoi Ministria e Mbrojtjes, pas hapjes së selisë së Shtabit të Forcave mjekësore ballkanike në Shkup para dy javëve, kjo është selia e dytë rajonale e një shtabi të Maqedonisë dhe është dëshmi për lidershipin e Maqedonisë në bashkëpunimin rajonal në sferën e Mbrojtjes. Në këtë shtab do të punojnë oficerë nga Turqia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Shqipëria dhe Maqedonia.

Në takim, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë Zoran Jolevski është falënderuar për besimin e dhënë që Maqedonia të jetë nikoqir i Shtabit kryesor të brigadës. Ai ka shtuar se proceset bashkëkohore në marrëdhëniet ndërkombëtare kërkojnë bashkëpunim më të afërt mes faktorëve intern dhe ekstern të sigurisë. Paqja, siguria dhe presporiteti janë më shumë të lidhur tani, se sa në të kaluarën, ka thënë ministri, duke shtuar se kërcënimet asimetrike ndikojnë në mjedisin e sigurisë në nivel global dhe rajonal.

Ministri Jolevski ka shtuar se Brigada e Evropës Juglindore (SIBRIG) është kapacitet i fuqishëm rajonal, i cili posedon potencial të madh që të kontribuojë në misionet paqësore ndërkombëtare.

“Maqedonia i mbështet përpjekjet për kontribut ndaj operacioneve të udhëhequra nga NATO, Bashkimi Evropan dhe Kombet e Bashkuara”, theksoi ministri.

Në takimin e SEDM (takim i ministrave të mbrojtjes nga Evropa Juglindore) marrin pjesë mbi 20 përfaqësues të vendeve anëtare, mes të cilave edhe ministrat e Mbrojtjes të Italisë,Turqisë, Rumanisë, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi dhe të tjerë.

Procesi i bashkëpunimit mes vendeve nga Evropa Juglindore (SEDM–South East Defense Ministerial) për herë të parë u nis në vitin 1996, ndërsa qëllimi i saj është përforcimi i bashkëpunimit ushtarak-politik në rajon dhe përmirësim i stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore.

Exit mobile version