Site icon PORTALB

Anulohet seanca e sotme e rastit “Lagjja e Trimave”

“Lagjja e Trimave” - Rasti i Kumanovës

Është anuluar seanca e sotme gjyqësore e rastit të njohur në opinion si “Kumanova – Lagjja e Trimave”, pasi që avokatët e palës mbrojtëse të 8 personave të akuzuar për logjistikë, do të jenë sot në Prokurori për t’i shqyrtuar provat materiale të institucionit në fjalë, raporton Portalb.

Seanca e fundit gjyqësore, për dallim nga ato parapraket, e të akuzuarve për rastin e Kumanovës ka filluar pa ankesa për keqtrajtime. Pas alarmeve të avokatëve dhe mediave, nga ajo që u pa 10 dhjetor janë ndërruar shoqëruesit e të akuzuarve – pjesëtarë të njësitit special si dhe policët përgjegjës për të siguruar mbajtjen e seancës gjyqësore. Megjithatë, të akuzuarit, derisa Prokuroria Publike shpaloste albumet me fotografi nga vendi i ngjarjes më 09/10.05.2015, kanë reaguar në disa raste për fotografi të montuara.

Për kundërshtimet e të akuzuarve ndaj foto-dokumentacionit të Prokurorisë Publike ka njoftuat edhe avokati mbrojtës Naser Raufi.

“Kishte disa reagime, kundërshtime të fotografive. Ka fotografi për të cilat të akuzuarit thonë se janë të montuara. Për shembull Mirsad Ndrecaj, është në një foto ku nuk është i lënduar te fytyra, ndërsa është gjetur me një gjendje që s’ka teori të mos jetë i lënduar… dhe disa raste tjera, momente që siç thonë të akuzuarit disa prej të vdekurve nuk kanë qenë sikur në pozitën që shihen në foto”, tha avokati mbrojtës Raufi.

Përndryshe, vitin e kaluar në Lagjen e Trimave në Kumanovë, një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur. /Portalb

Exit mobile version