Site icon PORTALB

VMRO dhe BDI nuk pranojnë ligjet që i kërkon Prokuroria Speciale Publike

Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë

Shumica parlamentare nuk ka pranuar që propozimi i deputetit Pavle Trajanov për propozim ligjet që i kërkon Prokuroria Speciale Publike të vihet në rend dite. VMRO-DPMNE votoi kundër, ndërkaq BDI-së si zakonisht i munguan vetëm deputetët e nevojshëm në Kuvend për ta përkrahur propozimin e Trajanovit.

Deputeti i LSDM-së Goran Sugareski kërkoi që nga rendi i ditës të hiqen 8 pikë, por edhe ky propozim nuk kaloi. Sugareski kërkoi që nga rendi i ditës të largohen vendimet e Komisionit për zgjedhje dhe emërim dhe për zgjedhje të zëvendësve të Avokatit të Popullit, si dhe për ratifikimin e Marrëveshjeve për Fond për Ballkanin Perëndimor dhe Zyres rajonale për bashkëpunim rajonal.

Sugareski ka akuzuar partitë e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI se po ikin nga zgjedhjet.

“Në vend se të shpërbëhet Kuvendi propozohen pika në rend ditë për të “rahatuar” ushtarë partiak nëpër institucione. Po gënjeni popullin. VMRO-DPMNE dhe BDI po ikin nga zgjedhjet”, tha Sugareski.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimоvski në replikën e tij drejtuar Sugareskit tha:

“As Sugareski nuk beson në përrallën se ‘VMRO po ikë nga zgjedhjet’. Ka dy vite që po ju lusim të shkojmë në zgjedhje. Pas votimit të buxhetit shkojmë në zgjedhje dhe ju do të merrni leksionin”.

“Çështja e zgjedhjeve doli nga Marrëveshja e Përzhinos. Ju vazhdoni me manovrimet e juaja. Dy raste më parë ju keni qarë për t’u shtyrë zgjedhjet”, i replikoi deputeti i BDI-së Talat Xhaferi deputetit të LSDM-së Goran Sugareski.

LSDM sot lëshoi seancën parlamentare pasi u refuzua kërkesa e tyre për ndërrim të rendit të ditës./Portalb

Exit mobile version