Site icon PORTALB

Votohen në Kuvend ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Kuvendi i RM-së

Kuvendi i RM-së

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale do të jenë testi i parë i Kodit të ri Zgjedhor, ndryshimet e  fundit të cilat u votuan sot në Parlament. Pro ndryshimeve votuan partnerët e koalicionit qeveritarë VMRO DPMNE dhe BDI, si dhe partia më e madhe opozitare maqedonase LSDM, nga e cila theksuan se Kodi figuron i kënaqshëm në letër, por të shohim zbatimin praktik të ndryshimeve të reja në të. 

“Ky është hapi parë që mund të garantoj proces të lirë zgjedhor. Megjithatë nga përvoja, e dimë se edhe kodi më i mirë zgjedhor nuk mund të garantojë zgjedhje të drejta dhe demokratike  në rast se nuk ka vullnet politik tek pjesëmarrësit në procesin zgjedhor”, deklaroi Cvetanka Ivanova, LSDM.

PDSH-ja nuk i mbështeti ndryshimet duke u shprehur se marrëveshja e arritur për të nuk ishte konsensuale por kundër shqiptarëve. BDI-ja u kundërpërgjigj duke thënë se në mungesë të ideve dhe ofertave, PDSH-ja veç kundërshton dhe kritikon.  

“Kjo marrëveshje e VMRO-së dhe LSDM-së, e përkrahur edhe nga BDI-ja nuk e ndihmon procesin zgjedhor, nuk garanton se do të kemi zgjedhje të lira korrekte e demokratike. 100 mijë votuesit fiktiv maqedonas që në mënyrë të drejtpërdrejtë e dëmtojnë votën shqiptare, i ke ende aty. Listat zgjedhore nuk janë të pastruara”, tha Bekim Fazliu, PDSH.

“Kur kritikoni, kur kundërshtoni, kur refuzoni, mirë është që të jepni alternativa. Mirë është që të jepni ofertë, mirë është që të jepni ide për atë se si duhet të bëhet ndryshimi në pikëpamjen tuaj. Sepse siç u dëshmua, ministri i drejtësisë, BDI-ja si lider i këtij procesi reformues,  ishte i hapur, i gatshëm , konstruktiv dhe sot me arritjen e këtyre ndryshimeve dëshmoi se dinë të jetë  lider i proceseve të cilat duan ta çojnë RM-në përpara”, u shpreh Ermira Mehemti, BDI.

Ndërkohë për VMRO DPMNE-në, marrëveshja rreth Kodit të ri Zgjedhor nënkupton se në Maqedoni ekziston dialogu i mirëfilltë politik. 

Exit mobile version