Site icon PORTALB

Ekspertja e OKB-së për kulturë viziton Kosovën

Karima Bennoune

Raportuesja Speciale për të Drejtat Kulturore të Kombeve të Bashkuara, Karima Bennoune e cila po qëndron në Kosovë për një vizitë zyrtare nga data 7 tetor, ka mbajtur një sërë takimesh me përfaqësues qeveritarë, të shoqërisë civile dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë. Por konferenca për media e cila planifikohej të mbahej sot, nuk u realizua për shkak të mospërfundimit të vizitës së saj në Kosovë. Ajo iu drejtua mediave vetëm me një bisedë joformale, ku nuk u lejua incizimi i deklarimit të saj, raporton Anadolu Agency (AA).

Bennoune theksoi se ajo është një eksperte dhe profesoreshë e pavarur e Këshillit të të drejtave të Njeriut në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, dhe shtoi se do të paraqet një raport për vizitën e saj në Kosovë.

Ajo theksoi se si raportuese speciale ka të drejtë të vizitojë dy shtete brenda një viti, në kuadër të mandatit të saj për të drejtat kulturore. Bennoune shtoi se të drejtat kulturore përfshijnë edhe të drejtën e pjesëmarrjes në jetën kulturore pa asnjë diskriminim dhe se këtu përfshihet edhe qasja në pasurinë kulturore.

Ajo gjithashtu theksoi se çështja e të drejtave kulturore ka të bëjë edhe me çështjen e të drejtave të njeriut, sipas standardeve ndërkombëtare, të cilat vlejnë edhe për Kosovën.

“Unë nuk jam e interesuar vetëm në trashëgiminë kulturore dhe vendet kulturore, por interesohem edhe në marrëdhëniet midis njerëzve dhe në atë se si ata përdorin lokalitetet kulturore”, tha Bennoune.

Raportuesja Speciale theksoi se pikat kyçe e misionit të saj është depolitizimi i çështjes së trashëgimisë kulturore, e cila ka nevojë duke theksuar se për këtë çështje duhet ndërtuar ura, e jo mure. Ajo gjithashtu vuri në dukje se gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, ka vizituar trashëgimitë kulturore dhe fetare, si të shqiptarëve ashtu edhe të serbëve.

Bennoune bëri të ditur se ka vizituar edhe xhaminë e shkatërruar gjatë luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1999, e cila pastaj u rindërtua, por edhe kishat ortodokse serbe të cilat u shkatërruan nga trazirat e vitit 2004. Ajo theksoi se është shumë e rëndësishme të bëhet dënimi dhe të gjenden ata që kanë shkaktuar këto dëme.

Pas përfundimit të vizitës së saj, Bennoune do ta përfundojë raportin ku do ta bëjë promovimin e rekomandimeve për trashëgiminë kulturore dhe të drejtave kulturore. Pas qëndrimit të saj në Kosovë, Bennouna do ta vizitojë edhe Serbinë.

Exit mobile version