Site icon PORTALB

Lëvizja BESA: Nxënësit shqiptarë të SHF “Panajot Ginovski” të Komunës së Butelit çdo ditë humbin nga mësimi

Afrim Gashi, Lëvizja Besa

Nga Lëvizja BESA reagojnë se, kanë kaluar gati 40 ditë nga fillimi i vitit shkollor, nxënësit shqiptarë të SHF “Panajot Ginovski” të Komunës së Butelit çdo ditë humbin nga mësimi, pasi ende nuk kanë arsimtarë për disa lëndë mësimore.

Sipas partisë tragjedia qëndron në atë se kjo dukuri e mungesës së kuadrit në këtë shkollë, që di të zgjat edhe nga disa muaj, përsëritet vite me radhë (edhe pse dihet se përzgjedhja e kuadrit duhet të përfundojë më 1 shtator), ndërsa askush as nga drejtoria e kësaj shkolle e as nga Komuna e Butelit, nën kompetencë të së cilës bie edhe kjo shkollë, nuk ndjen përgjegjësi për këtë situatë.

“Natyrisht, më të dëmtuarit janë nxënësit e kësaj shkolle, të cilët në fund të vitit shkollor u nënshtrohen testimeve të ndryshme, me ç’rast vihet re kjo mungesë e mësimit. Pasi për Lëvizjen Besa prioritet mbi prioritetet janë nxënësit dhe sigurimi i kushteve dinjitoze për mësim, e pyesim publikisht drejtoreshën e kësaj shkolle se si i arsyeton ajo orët e humbura gjatë kësaj periudhe dhe si do t’i kompensojë ato?

Me këtë rast përfitojmë nga rasti që t’i bëjmë apel Inspektoratit Shtetëror të Arsimit që të merret seriozisht me këtë fenomen në këtë shkollë, por edhe në të gjitha shkollat e tjera ku paraqiten këso raste dhe të ndërmarrë masa konkrete ndaj fajtorëve kushdo qofshin ato”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.

Me këtë rast ata ritheksojnë se në momentin që BESA do të jetë në pushtet detyrimisht do të kujdesen që rastet e tilla të mos ndodhin në asnjë shkollë dhe në asnjë vendbanim shqiptar, pasi për ata arsimi cilësor është shtylla kryesore drejt zhvillimit të një shoqërie të shëndoshë.

Exit mobile version