Gjuriq ka thënë për TV Pink se Serbia do të vazhdojë të mbrojë interesat e saj dhe do të luftojë për ta ruajtur Trepçën, sepse “kjo është e drejta e vetme”.
Ai pohoi se “autoritetet e Kosovës janë duke u përpjekur për të arritur një pasuri të paçmuar, e cila është me miliarda euro”.
Gjuriq shtoi se “rrëmbimi i Trepçës është asgjë më shumë sesa një paligjshmëri” dhe për këtë arsye serbët kanë marrë një vendim politik, por, sipas emisarit serb, javën e ardhshme do ta institucionalizojmë vendimin.
“Mesazhi ynë është i qartë, ne nuk e njohin vendimin e konfiskimit. Do të marrim masat ligjore dhe politike për të parandaluar atë”, ka thënë Gjuriq, duke shtuar se ai propozon për ta shfuqizuar zyrtarisht vendimin e Kosovës për Trepçën.
Ai gjithashtu ka thënë se Qeveria serbe do ta ndihmojë “Fondin e Zhvillimit Serb”, që sipas serbëve është aksionar i Trepçës, për të filluar procedurën e arbitrazhit.
Gjuriq tha se disa nga emrat më të respektuar të së drejtës ndërkombëtare kanë kërkuar vullnetarisht që ta mbrojnë Trepçën për Serbinë në arbitrazh.
I pyetur se përse po kërkon seancë në Këshillin e Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ai ka thënë se “nëse në Bruksel nuk po flitet, atëherë duhet të gjendet vendi alternativ për të mos heshtur”.
“Do të luftojmë për të ruajtur Trepçën. Do të luftojmë për të ruajtur pronën tonë”, shtoi Gjuriq, njofton Klan Kosova.