“Është shumë e vështirë të shkolloj fëmijët dhe të mbaj familjen me një pagë minimale”

Në Maqedoni, ku niveli i pagave është i ulët, shkollimi i fëmijëve në universitete bëhet shkak i vështirësive financiare nëpër familje, raporton Anadolu Agency (AA).

Prindërit të cilët ngelen të detyruar që krahas sigurimit të të ardhurave për familjen të bëjnë shpenzime edhe për shkollimin e fëmijëve të tyre shprehin ankesa, ndërkohë që studentët detyrohen të punojnë për t’i përballuar shpenzimet.

Shkupjani Fatmir Jashari, në një deklaratë për gazetarin e AA-së, tha se përballet me “varfëri të madhe” si një prind i cili punon me pagë minimale.

“Nuk mund ta arrij fundin e muajit me pagën minimale që e marr. Djali im, meqë gjatë ditës është në shkollë, duhet që shujtën ta hajë jashtë. Krahas kësaj, ai udhëton me autobus dhe bën shpenzime për libra dhe gjëra të tjera për shkollë. Nuk e di a të dërgoj ushqim në shtëpi, a t’i paguaj shpenzimet e shtëpisë, apo t’i ndihmoj djalin tim për shkollim? Nuk mund t’i arrij”, tha Jashari, duke vazhduar më tej se i biri i tij është i suksesshëm në shkollë, porse nuk arrin të sigurojë mbështetje financiare.

I biri i tij Furkan Jashari, nga ana tjetër, theksoi se është duke studiuar në universitet privat me burse të plotë. “Kam fituar të drejtën që të mbaroj studimet pa pagesë. Megjithatë, ka shpenzime të tjera ditore. Në mënyrë që t’i plotësoj shpenzimet e mia dhe të ndihmoj babait tim i cili punon me pagë minimale, nevojitet që edhe unë të punoj”, u shpreh ai.

Duke theksuar se nuk pranon ndonjë bursë shtesë apo mbështetje të ngjashme, Furkani u shpreh se “Më nevojitet të punoj, por për shkak të fokusimit në studime dhe pamundësisë për të ndarë kohë për punë, mendoj se kjo do të më pengonte që të jem i suksesshëm.”

Një baba tjetër i tre fëmijëve, nga Shkupi, Mensur Daut, tha se paga minimale është e pamjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet e tre fëmijëve të cilët vazhdojnë studimet e tyre.

“Të punosh me pagë minimale në Shkup dhe në të njëjtën kohë të shkollosh fëmijët në universitet është aq e vështirë sa gati mund të thuhet e pamundur”, tha me theks të veçantë Daut, i cili shtoi se sigurimi i kafshatës për familjen dhe mbulimi i shpenzimeve për shkollimin e birit të tij ka shkaktuar vështirësi të mëdha financiare.

“I biri im bënë shpenzime për rrugë, ushqim, libra, si dhe shpenzime në kohë provimesh. Thuajse e tërë paga harxhohet për këto qëllime. Po ashtu kam vajza të cilat mësojnë në shkollë të mesme dhe ato bëjnë shpenzime shtesë”, tha Daut.

Ndërkaq, i biri i tij Numan Daut, duke theksuar se babai i tij është i vetmi person në familje që punon, tha se “Është tejet e vështirë që edhe ta sigurojë jetesën për familjen edhe të më shkollojë. Edhe unë punoj që ta mbështes babain tim.”

Ndryshe, paga minimale në Maqedoni është 165 euro, ndërkohë që shpenzimet minimale të një student për konvikt dhe jetesë arrijnë 160 euro.

Ndërsa në shpenzimet minimale të studentëve për vijimin e shkollimit nuk përfshihen kontribute, kjo gjendje tregon se e tërë paga minimale në Maqedoni nuk i mjafton një studenti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button