Site icon PORTALB

Presidenti fjalërëndë i Filipineve, SHBA-së e BE-së: Mbathjani

Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte

Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, u ka thënë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Unionit Europian që “mbathjani” dhe se mund t’i tërheqin ndihmat financiare nga Filipinet, nëse ata janë të palumtur me luftën e tij të përgjakshme kundër rrjeteve të drogës, shkruan  Al Jazeera, njofton Klan Kosova.

“Ikni, dërgoni paratë tuaja dika tjetër. Ne do të mbijetojmë”, ka thënë Duterte në një fjalim për policët e vendit të enjten në qytetin Butuan.

“Si na mendoni ju neve, lypsarë? Ne do të mbijetojmë. Edhe nëse kalojmë nëpër vështirësi, ne do të mbijetojmë. Por kurrën e kurrës nuk do bëjmë kompromis me dinjitetin tonë”.

“Nëse mendoni t’i largoni ndihmat tuaja, vazhdoni, ne nuk do lutemi për to”, tha Duterte, duke shtuar se ai nuk pret që SHBA-ja, BE-ja dhe grupet e të drejtave të njeriut t’i kuptojnë politikat e tij.

Prejse Duterte është bërë President, me 30 qershor, policia ka vrarë rreth 3680 persona – besohet të kenë qenë anëtarë të karteleve të drogës.

Përndryshe SHBA-të vetëm në vitin 2015 i kanë dhënë 236 milionë dollarë ndihma Filipineve, kurse në vitin 2017 është në plan t’i japin 188 milionë.

Ndërsa BE-ja ndihmon Filipinet me 65 milionë çdo vit.

Por, këto ndihma besohet se do të ndalen, sidomos pas komenteve të Dutertes për Presidentin amerikan, Barack Obama.

Duterte pasi që e kishte ofenduar rëndë Obamën ditë më parë, të hënë ka thënë se “Obama le të shkojë në dreq të mallkuar” dhe pohoi se është gati të prishë marrëdhëniet me SHBA-të.

 

Exit mobile version