Site icon PORTALB

Lajm pa as një pikë interesi publik

Teksti në Zhurnal për Muhamed Zekirin

[Recension: “Mediumi maqedonas “Veçer” shkruan mbi një njeri i cili u njoh më herët si HAXHI, ndërsa tani me RAKI?!”]

Sigurisht që edhe në gazetari mund të përdoret humori, qësëndisja, sarkazmi apo satira. Mbase jo në atë klasiken, por në zhanre tjera gazetareske, siç janë karikatura, komenti, kozeria, apo në gazetarinë e argëtimit apo ndryshe siç njihet rubrika rozë, ku mund të thuhen edhe gjëra që të bëjnë të qeshësh, e që nuk përbëjnë ndonjë shqetësim të madh.

Linku për te artikulli origjinal: Mediumi maqedonas “Veçer” shkruan mbi një njeri i cili u njoh më herët si HAXHI, ndërsa tani me RAKI?!

Data dhe koha e publikimit: 27.09.2016

Data e recensionit: 02.10.2016

Recensues: Agron Vrangalla

Gabimi fillon e merr shtat në atë moment kur ngatërron lajmin me rubrikë apo zhanr tjetër, idenë me qëllimin dhe rrugën në të cilën dëshiron të përçosh një informacion të caktuar.

Pyetja që një lexues mund të shtrojë pasi të lexojë këtë lajm është: “Mirë, e çfarë pastaj? Kujt iu bë vonë për foton që kanë postuar këta persona?”. Është i rëndësishëm dyshimi që ngre lexuesi rreth asaj që redaksia i ka ofruar. Prandaj, çdo person që shkruan dhe këtë shkrim ia dedikon një grupi të caktuar njerëzish, duhet ta vendosë veten në pozicionin e tjetrit duke menduar me vete, çfarë bëj unë me këtë që po shkruaj dhe për çfarë mund t’i hyjë në punë lexuesit kjo që po i ofroj?

Manipulimi i fotografisë është një problem që duhet evidentuar, por kjo duhet bërë në rast se manipulimi i një fotografie do të nxirrte në shesh një skandal që dikush ka dashur ta fshehë duke prerë apo montuar foton. Ndërkohë, te kjo përmbajtje situata është pak e habitshme. Duket maja e shishes së uiskit apo s’duket maja e shishes së uiskit? A ka uiski aty apo s’ka uiski? Kush e piu uiskin, sa gota u pinë….? Dhe, portali që publikon këtë lajm hiqet si naiv duke justifikuar veten se ja ne s’dimë gjë, pasi që lajmin e ka publikuar portali maqedonas “Veçer”. Po pse, vallë kjo është gazetaria? Të mbledhim mbetjet e portaleve të dynjasë dhe t’i riprodhojmë duke thënë se ne s’jemi as të parët e as të fundit që po e bëjmë këtë, sepse, ja ku i keni edhe të tjerët thonë të njëjtën gjë. Vallë u shndërrua gazetaria në kosh plehrash të informacionit ?! Këtu nuk flasim për aktorët e lajmit. Le të jenë kush të duan dhe le të bëjnë çfarë të duan. Rëndësi ka trajtimi që i bëhet një lajmi. Mund të flasësh për cirkun dhe ta trajtosh në mënyrë profesionale dhe mund të flasësh për profesionin dhe ta trajtosh si cirk. Njëra me tjetrën – kanë dallim të madh .

Pastaj, titulli… Dakord, le të themi se nocionet “haxhi” dhe “raki” nuk shkojnë bashkë, po ç’lidhje ka kjo ore? Do bëjmë gjykimin e figurave të reja të LSDM-së mbi veprimtarinë e tyre, apo do merremi me “haramet” që gjenden në tavolinën e një “haxhiu”, pa pasur dëshmi se ai ka të bëjë drejtpërdrejtë me “haramin”? Do të shohim personazhin politik si politikan apo si “çelsmbajtës parajse” dhe sa herë që do gabojë do t’ia tërheqim vërejtjen, sepse një gabim i tij na kushton të ngelemi jashtë parajsës?! Lëre pastaj që kjo foto, me apo pa montazh, nuk ka asnjë lidhje me shishen e alkoolit dhe konsumimit të saj nga ana e Zekirit. Në tavolinë mund të lihet edhe telefoni por s’do me thënë se do ta hash….

Duhet më shumë vëmendje në trajtime të tilla të informacionit. Klikimet janë klikime  dhe të gjithë i duan, por jo deri në atë pikë që një medium të shndërrohet si një prodhues të “spam”-it, që të imponohet duke thënë kliko këtu për të vazhduar te faqja që gjoja të sjell një informacion shumë të rëndësishëm apo ekskluziv. Portalet informative duhet të përbëjnë stacione kryesore të informimit, e jo pika për faturim, senzacionalizëm apo propagandë.

 


Ky recension është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

 

Exit mobile version