Site icon PORTALB

Mosbalancimi i njësive zgjedhore: Partitë ia hedhin fajin njëra tjetrës

Zgjedhjet po afrohen. KSHZ ka përfunduar se njësitë zgjedhore nuk janë ta balancuara, tregues ky se zgjedhjet me përbërjen aktuale të njësive zgjedhore janë antiligjore. Ndërkaq, partitë politike hedhin fajin njëra kundër tjetrës për mosbalancimin e njësive zgjedhore, raporton Portalb.

Sikur të varej prej PDSH-së do të zgjidhej ky problem, kujton kryetari i grupit parlamentar të PDSH-së, Imer Aliu.

“Fatkeqësisht tre partitë tjera politike marrin veprime të njëanshme për çështje shumë me rëndësi. Ne si PDSH kemi ngelur partia e vetme nënshkruese e Marrëveshjes e cila insiston në konsensus për temat me rëndësi për qytetarët. Partitë tjera forcojnë agjendat individuale dhe si pasojë e kësaj, po pëson i tërë procesi. Ne ngelim në propozimin tonë që vota të ketë peshën e njëjtë, gjithandej në Maqedoni, pavarësisht a është vota shqiptare apo maqedonase. Me situatën aktuale vota e maqedonasit vlen minimum 10% më shumë se vota e shqiptarit”, tha Aliu.

Sipas tij kjo situatë e patolerueshme. “Informacionet tona thonë se koalicioni qeverisës po përgatit një propozim ndryshim të ligjit të Kodit zgjedhor, që do ta kalojë pa konsensus. Kështu, vota shqiptare do të masakrohet sikurse deri tani, nëpërmes asaj që mijëra votues do të barten nga njësia numër 6 në njësinë numër 5 dhe dallimi prej tani sa është mbi 30 mijë do të jetë diku 25 mijë. Kështu vota e shqiptarëve do të vazhdojë të vlejë më pak se vota e maqedonasve”, përfundoi deputeti Aliu.

“Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër, përveç se të respektohet ligji. Ligji duhet të respektohet në interes të qytetarëve. Ne duhet të krijojmë kushte të barabarta për qytetarët, që do të thotë duhet t’i balancojmë njësitë zgjedhore. Për ne si deputet është obligim ligjor”, tha Rafiz Haliti nga BDI.

Ai mendon që duhet të bëhet takim i liderëve që të krijohen kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve më 11 dhjetor.

“Një takim i liderëve ku pikë e veçantë do të ishte balancimi i njësive zgjedhore”, theksoi Aliti.

Petre Shilegov nga LSDM vlerëson se VMRO-DPMNE dhe BDI me qëllim e mbajnë të hapur këtë çështje për ta defokusuar opinionin.

“Koalicioni qeverisës deri më tani nuk kanë propozuar zgjidhje të përbashkët, ndërsa gjejnë zgjidhje të përbashkët për çështje kadrovike kur janë në pyetje interesat personale. Gjejnë gjuhë të përbashkët për secilin tender që e ndajnë në mënyrë kriminale. Në moment që publikojnë zgjidhje për këtë çështje kjo problematikë zgjidhet. Ritheksojë se qëndrimi i LSDM është që Maqedonia duhet të jetë një njësi zgjedhore, në rast të tillë këso problemesh nuk do të kishim”, potencoi Shilegov.

VMRO-DPMNE sot nuk është prononcuar rreth kësaj problematike.

Mirëpo, nga deklarata e fundit e tyre rreth çështjes në fjalë VMRO-ja nuk sheh disbalanc në njësitë tjera por vetëm në Njësinë numër 6, andaj sipas Ilija Dimovskit, nuk duhet kjo të jetë arsye eventuale për mos-mbajtjen e zgjedhjeve.

“Vetëm njësia 6 del nga korniza ligjore, mendoj që nuk është korrekte që në këtë mënyrë si veprojnë partitë tjera, distancohen nga disa procese për mbajtjen e zgjedhjeve” tha Dimovski./Portalb

Exit mobile version