Site icon PORTALB

Kosovë, veteranët e UÇK-së protestuan para qeverisë

Veteranët e UÇK-së gjatë protestave para qeverisë

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) sot para ndërtesës së Qeverisë protestuan kundër ligjit për skemat pensionale, i cili nuk lejon që një person të marrë dy pensione, ku të prekur janë edhe familjet e dëshmorëve dhe kategorive tjera të luftës, raporton Anadolu Agency (AA).

Rreth 50 veteranë sot protestuan kundër vendimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevat Qeriqi u shpreh se ndodhen këtu për të kundërshtuar shkeljen e të drejtave të veteranëve të Kosovës dhe kërkoi shfuqizimin e vendimit të MMP-së si dhe krijimin e një zgjidhjeje afatgjate e buxhetit për këtë kategori.

“Kërkesa e tretë që ish ish-pjesëtarëve të TMK-së dhe FSK-së t’u kryhen obligimet që u garanton ligji për këto kategori. Kërkesa e katërt është të formohet një komision mjekësor, i cili do të verifikonte shkallën e invaliditetit për këtë kategori dhe kërkesa e pestë është të bëhet një auditim i pavarur në listat e veteranëve të luftës së UÇK –së”, u shpreh Qeriqi.

Ai theksoi se në Kosovë janë 1700-1800 familje të dëshmorëve dhe veteranë të luftës, për të cilët Qeveria nuk ka ndarë asnjë buxhet.

Shadije Pllana-Hoti nga Mitrovica u shpreh se kishte ardhur për të protestuar në emër të babait, dy djem të cilit ishin vrarë në luftë. Ajo njoftoi se babai i saj ka punuar me vite të tëra në arsim dhe merrte dy pensione, si atë personale edhe të të familjeve të viktimave. Hoti shtoi se babai i saj e kishte kuptuar që njëri prej pensioneve i është hequr vetëm atëherë kur ka shkuar në makinat e ATM-së.

Duke vënë në dukje se deri në muajin e kaluar babai i saj ka marrë dy pensione, Hoti u shpreh se “Viktimat për një person të vrarë marrin 168 euro, kurse ata që kanë luftuar marrin 500 euro. Babai im për dy djem merr 200 euro, domethënë jetën e vëllait tjetër e vlerësojnë vetëm me 30 euro. Çfarë të them më tepër, edhe as që e kanë pyetur a dëshiron që ta ndalim pensionin që ke kontribuar në arsim apo atë të djemve, vetëm i kanë thënë që nuk ke të drejtë të marrësh dy pensione”.

Shumica e protestuesve pjesëmarrës shprehën pakënaqësitë e tyre, posaqërisht për shkak të mosnjoftimit me vendimin për heqjen e të drejës për marrjen e dy pensioneve. Ata theksuan se nuk iu është marrë mendimi i tyre nëse dëshirojnë të marrin pensionin e kontributit apo atë të kategorisë së luftës.

Ndërkaq, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, lidhur më çështjen e pensioneve të veteranëve të luftës u shpreh se janë në në konsultim me Ministrinë e Financave për gjetjen e mjeteve, pasi sipas tij, për muajin shtator janë në minus 1.6 milionë euro.

Ai njoftoi se heqja e pensioneve të dyfishtë është bërë me rekomandimin e Auditorit, por shtoi se ka shumë paqartësi ligjore në këtë aspekt. Abrashi gjithashtu njoftoi se do të sjellin një propozim të ri në Kuvend, për definimin më të qartë të pensioneve familjare të dëshmorëve dhe pensioneve invalidore.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa theksoi se janë në gjendje të rëndë, dhe se është e pamundur të përballohen shpenzimet për këto kategori. Ai gjithashtu kërkoi një zgjidhje nga Fondi Monetar Ndërkombëtar , për të mos u rrezikuar qëndrueshmëria buxhetore. Ai shtoi se “Ne nuk mund të paguajmë mjete për individë që janë në lista, e nuk i kanë meritat”.

Exit mobile version