Site icon PORTALB

Rikthehen në bankat shkollore

Foto ilustrim

Foto ilustrim

Pas tre javësh pushim dimëror, sot rreth 280 mijë nxënës do t’u rikthehen bankave shkollore. Ajo që të bie në sy në këtë gjysmë-vjetor, krahasuar me vitet e kaluara është testimi ekstern i 20 mijë maturantëve që pritet të mbahet më 22 dhe 24 janar. Maturantët do të testohen në dy lëndë.

Nga Ministria e Arsimit presin që ky testim të realizohet me sukses, duke pasur parasysh përgatitjet e bëra me kohë, si publikimi i pyetjeve dhe koha e nevojshme për vërejtje. Nga  gjithsej 720 vërejtje të bëra nga ana e nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve, prej tyre janë pranuar 151. 

“Përgatitjet janë në nivelin më se të duhur. Faktikisht jemi munduar dhe i kemi tejkaluar të gjitha ato probleme të cilat kanë qenë evidente në vlerësimin e vitit të kaluar dhe besoj që tash ky vit do të jetë më i suksesshëm sa i përket testimit ekstern”, u shpreh Safet Neziri, Zv/Ministër i Arsimit.

Maturantët në fund të vitit pritet t’i nënshtrohen edhe maturës shtetërore ndërsa nxënësit nga klasa e tretë deri në vitin e tretë të shkollës së mesme, do t’i nënshtrohen testimit ekstern në fund të vitit. Akoma nuk ka të dhëna se sa mësimdhënës devijuan nga vlerësimi real i bazuar në testimin ekstern që u realizua vitin e kaluar.

Exit mobile version