Site icon PORTALB

Maqedoni, informatorët e keqbërjeve ende nuk janë anonim, ligji i vëndos në rrezik!

Transparency International

“Transparency International” ka organizuar punëtori me temë “Harmonizimi i Ligjit për për mbrojtjen e informatorëve me rekomandimet e Komisionit të Venedikut”. Numri një i TI-së, Sllagjana Taseva ka shprehur shqetësim për mos aplikimin e këtij ligji edhe pse i njëjti ka hyrë në fuqi qysh në maj të këtij viti. Ndërsa, ambasadori holandez Wouter Plomp inkurajoi institucionet që në mënyrë adekuate, sipas rekomandimeve të Komisionit të Venedikut të mbrojnë ata që janë të gatshëm të paralajmërojnë për raste korruptive, raporton Portalb.

“Ligji për mbrojtjen e informatorëve është sjell si rezultat i bisedimeve në Përzhino, në nëntor vitit të kaluar, ka hyrë në fuqi në maj të këtij viti. Në ndërkohë është deklaruar edhe Komisioni i Venedikut. Komisioni ka përshëndetur procesin që ka dalë nga Marrëveshja e Përzhinos. Por, ne jemi mbledhur këtu të shprehim shqetësim se ky ligj ende nuk ka nisur të aplikohet. Institucionet që janë kompetente nuk janë angazhuar që ligji të aplikohet”, tha Taseva.

Sipas saj, njëra ndër vërejtjet më të rëndësishme nga Komisioni, që duhet të shqyrtohet me kujdes fakti që ligji mundëson që autoritetet e gjykatës ta publikojnë identitetin e dëshmitarit të mbrojtur pa e pyetur se a pajtohet ky i fundit për këtë.

“Tjetër me rëndësi është besueshmëria dhe anonimiteti. Si dhe ajo se si të sigurohet që identiteti do të mbrohet. Dhe, a është i mjaftueshëm dënimi prej 6 mijë eurove, nëse dikush me të vërtetë do të dijë kush e ka denoncuar. Edhe pse nuk janë shumë në numër rekomandimet e Komisioni të Venedikut, ata janë shumë thelbësore, për mbrojtjen e identitetit të informatorit”, deklaroi Taseva.

Ambasadori holandez Plomp potencoi se ky ligj është çështje e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit.

“Informatorët duhet të mbrohen. Kuptohet nuk ka një model që u përgjigjet të gjitha rrethanave. Rekomandimet e Komisionit të Venedikut janë shumë të rëndësishme. Më vjen mirë që Maqedonia ka bërë një hap të rëndësishëm. Inkurajojë institucionet dhe shpresojë ta kryejnë punën e tyre”, tha Plomp, duke ritheksuar se duhet të mbrohen ata që janë të guximshëm për të paralajmëruar.

Edhe pse në këtë punëtori ishte i ftuar ministri i Drejtësisë, Valdet Xhaferi, ose përfaqësues nga i njëjti institucion, siç tha Taseva, ata në momentin e fundit kanë informuar se nuk do të jenë të pranishëm.

Ndryshe, Taseva ka folur edhe për lidhshmërinë e mundshme mes këtij ligji me atë për sigurinë e dëshmitarëve të mbrojtur.

“Në situata të denoncimit të veprave penale, informatori mund të paraqitet në rolin e dëshmitarit, për më shumë edhe si dëshmitarë i mbrojtur, nëse nuk do t’i zbulohet identiteti. Edhe kjo në mënyrë të veçantë do të duhet të rregullohet. Komisioni i Venedikut rekomandon që paralelisht që me sjelljen dhe ndryshimet në këtë ligj të intervenohet edhe në ligjet procedurale, ligjin për procedurë penale dhe kodin penal”, sqaroi Taseva.

“Në raport me PSP dhe kërkesën për ndryshimin e ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, kjo ka të bëjë me çështje procedurale, respektivisht të ndryshohet procedura për sjelljen e vendimit për atë se kush do të jetë dëshmitarë i mbrojtur dhe kjo nuk ka të bëjë me atë që ne do te flasim sot. Megjithatë është mirë që kjo çështje të shqyrtohet, duke pasur parasysh kontekstin në të cilën sot punon Prokuroria Speciale Publike”, përfundoi Taseva.

 

Exit mobile version