Site icon PORTALB

Jugohrom, Gruevski jep afate të reja, ministri Ameti pa përgjigje

JUGOHROM

“Deri në prill të vitit 2016 duhet t’i plotësonin standardet, ajo ishte vendimi i qeverisë që u soll para dy viteve, përderisa ajo nuk respektohet, do të merën masa ligjore”, u shpreh Vlladimir Peshevski, zëvendëskryeministër.

Këtë deklaratë zëvendëskryeministri Peshevski e kishte dhënë në dhjetor të vitit të kaluar, i pyetur se çfarë do të ndërmerret nëse kombinati metalurgjik “Jugohrom” nuk përmbush standardet ekologjike, transmeton televizioni 21.

Kaloi edhe ky afat dhe deri tani nuk është plotësuar kushti kryesor siç është vendosja e filtrave për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit.  Afati tjetër shtesë i dhënë nga Qeveria është 31 tetori i këtij viti.

Ish kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski theksoi sot se kësaj kompanie për plotësimin e standardeve do ju duhet së paku edhe një vit.

“E fundit e cila ka filluar investimin është Jugohromi i Jugunovcës, investimi i të cilës pritet që të përfundoj vitin e ardhshëm dhe është në zhvillim e sipër”, tha Nikolla Gruevski, Kryetar i VMRO DPMNE-së.

Edhe pas disa tentimeve, TV21 nuk arriti në asnjë mënyrë që të bie në kontakt me Ministrin e Mjedisit Jetësorë Bashkim Ameti.

Përgjigje nuk arritëm të marrim edhe nga drejtuesit e “Jugohrom”.

Por ai që inicioi protestat e vitit të kaluar kundër ndotjes së ajrit në rajonin e Tetovës, Arianit Xhaferi nga “EkoGerilla” thotë se Ministrat e Mjedisit nuk kanë fuqi vendimmarrëse.

“Ministrat e Mjedisit që kanë qenë deri tani,  të gjithë kanë qenë të njëmendje që kanë thënë se do e mbyllim Jugohromin nëse nuk plotësohen kushtet, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak se roli i tyre më sa duket në atë qeveri është thjeshtë roli i një figure pasi që nuk kanë fuqi vendimmarrëse, mesa duket nuk kanë ndonjë impakt tek ajo që ata quajnë partner koalicioni, apo tek VMRO-DPMNE”, tha Arianit Xhaferi, Kryetar i “Eko Guerilla”.

Sipas analizave të bëra nga organizata ekologjike “Eko Guerila”, Jugohromi qiellin e Pollogut e pasuron me 30 ton pluhur kancerogjen në dit. Ndërsa me vendosjen e filtrave vetëm 800 kilogram pluhur.

Exit mobile version