Dhjetëra kufoma, shumica prej tyre në gjendje dekompozimi, janë nxjerrë nga ujërat në bregdetin egjiptian dy ditë pasi anija me qindra migrantë që lundronin për në Evropë u përmbys, raporton Anadolu Agency (AA).
Mediat raportojnë se në qytetin Rosetti që gjendet në deltën e Nilit kanë parë rreth 20 apo 30 kufoma të premten herët në mëngjes. Trupat e pajetë fillimisht janë marrë me anije peshkimi, ndërsa më pas u transportuan me autoambulancë e cila i priste në bregdet.
Dhjetëra persona kanë humbur jetën nga kjo fatkeqësi dhe me siguri numri do të rritet, gjë që e bën tragjedinë më vdekjeprurëse kur është në pyetje kalimi i migrantëve përmes Mesdheut.
Shumë prej atyre që kanë humbur jetën janë gra dhe fëmijë të cilët nuk ishin në gjendje të notojnë deri në bregdet kur anija u përmbys të mërkurën.