Site icon PORTALB

Lëvizja Besa akuzon Ministrinë e Ekonomisë, ja si përgjigjen nga ministria

Afrim Gashi, Lëvizja Besa

Inspektorati Shtetëror i Tregut, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, një ministri e udhëhequr tradicionalisht nga BDI-ja, kësaj radhe ka hapur konkurs me ngritje në detyrë përudhëheqës sektori për qytetet e Shkupit, Shtipit (me qytetet Koçanë, Vinicë, Dellçevë, Berovë, Sveti Nikollë, Probishtip), Strumicës (me qytetet Gjevgjeli, Radovish, Vallandovë), krejt kjo në kohën kur inspektoratet shtetërore të tregut të Tetovës dhe Strugës tashmë 5 vite udhëhiqen nga ushtrues detyre pa vendim pune.

Për këtë arsye nga aty e pyesim ministrin e Ekonomisë se deri kur do të poshtërohen kështu administratorët shqiptarë dhe pse ata, ndonëse me shumë përvojë pune, nuk avancohen?

“A është i vetëdijshëm ai se si ndjehen administratorët shqiptarë, të cilët janë lënë në mëshirë të fatit dhe janë krejt të pambrojtur?”

Nisur nga kjo, Departamenti i Ekonomisë i Lëvizjes BESA konstaton se mosavancimi i shqiptarëve nga Ministria e Ekonomisë dëshmon se partia shqiptare në pushtet është vetëm kukull në Qeveri dhe ajo implementon politika të VMRO-së dhe shefit të saj Nikolla Gruevski.

Në gjithë këtë poshtërim vetëm një lajm është i mirë për administratorët shqiptarë – po afrohen zgjedhjet dhe administratorët shqiptarë përfundimisht do të kenë mundësi ta shpëtojnë veten prej këtij nënçmimi. Ne i sigurojmë administratorët shqiptarë se me ardhjen e Lëvizjes BESA në pushtet ata do të avancohen sipas meritave dhe do të gjejnë një krah të fuqishëm në luftën e brendshme institucionale.

Në deklaratë për Portalb, zëdhënësi i Ministrisë së Ekonomisë, Naim Vranezi thotë se Inspektorati Shtetëror i Tregut, nuk është nën ombrellën e ministrisë dhe se nga 1 maji i vitit 2014 është nën Këshillin e inspektorateve.

“Nga 1 majit 2014 Inspektorati I tregut ka filluar të funksionon nën ombrellën e Këshillit të inspektorateve. E kanë gabim informacionin”, tha zëdhënësi Vranezi./Portalb

Exit mobile version