Site icon PORTALB

Francë, 8 të arrestuar të tjerë për lidhje me sulmin e Nicës

Policia franceze

Policia franceze

Policia franceze arrestoi 8 persona, që dyshohet se kishin lidhje me drejtuesin e kamionit Mohamed Lahouaiej Bouhlel, i cili vrau 86 persona në një shëtitore të Nicës, transmeton Top Channel.

Mësohet se të hënën dhe të martën, policia franceze kreu një sërë arrestimesh në Nicë dhe zonat rreth saj. Bouhlel drejtoi kamionin e tij mes turmës që festonte ditën e Bastijës, më 14 korrik, duke shkaktuar një masakër.

Fillimisht u mendua se ai kishte vepruar i vetëm, por prokurorët francëzë thanë më vonë se kishte pasur bashkëpunëtorë. Që më herët, 6 të dyshuar po hetoheshin formalisht nga policia. Sulmi u mor përsipër nga grupi terrorist i Shtetit Islamik dhe, sipas prokurorit francez të antiterrorit Francois Molins, ishte planifikuar muaj më herët.

Gjashtë të dyshuarit fillestarë akuzohen se i siguruan Bouhlelit armë zjarri apo mbështetje logjistike. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje për të arrestuarit e fundit, për shkak të hetimin që është ende në vazhdim, por mediet franceze thonë se ata janë pjesë e rrethit të gjerë që ndihmoi Bouhlelin të kryente masakrën në Nicë.

Të hënën, në Francë u zhvilluan ceremoni përkujtimore për 229 viktimat e sulmeve terroriste në vend që prej fillimit të vitit 2015. Analistët thonë se Franca është një prej objektivave të preferuara të grupeve terroriste dhe gjendja e emergjencës në vend, që sa vjen e vetëm zgjatet, tregon se rreziku nuk është pakësuar aspak.

Exit mobile version