Policia ka vijuar hetime intensive gjatë ditës së sotme, në lidhje me atentatin mafioz ndaj Astrit Gjepalit dhe kunatit të tij, dje në Bishtin e Zhurit në të dalë të Kavajës. Policia ka shoqëruar ditën e sotme rreth 30 persona që dyshohet se kanë dijeni mbi vrasjen e organizuar të stilit mafioz. Mes të dyshuarve janë dhe persona me precedentë penalë, ndërsa policia e Durrësit ka sekuestruar dhe disa kaseta filmimesh.
Sipas policisë, vrasësit e kanë ndjekur Gjepalin nga qyteti i Durrësit dhe e kanë organizuar që ta qëllojnë te Bishti i Zhurit. Nga hetimet dyshohet se atentatorët kanë qenë tre persona dhe të tre me maska ngjyrë gri.
Astrit Gjepali mesditën e djeshme është nisur për në burgun e Peqinit në të cilin vuante edhe dënimin prej 25 vitesh burg për të paktën pesë vrasje. Atij i kishin mbetur nga përfundimi i dënimit edhe pak më shumë se 6 vite burg. Gjepali, falë “sjelljes së mirë” dhe plotësimit të kritereve, kishte përfituar një leje 7 ditore. Kjo ishte hera e pestë që shkonte nga burgu në shtëpi me leje. Bashkë me Halil Ficin, burrin e motrës së madhe dhe me Ilirjan Sulkjan, burrin e motrës tjetër, mësohet se janë nisur rreth orës 12. 30 nga qyteti i Durrësit. Në timon ka qenë Ilirjani, ndërsa në sediljen e pasme kanë qenë Astriti bashkë me Halilin. Në autostradë, në mes të Kavajës dhe Rrogozhinës, pikërisht në vendin ku tregtarët kanë ngritur tezgat ku shesin perimet e tyre, mbi mjetin “Benz” me targa të huaja është lëshuar një breshëri kallashnikovi. Makina është gjuajtur nga pas dhe gomat kanë pësuar çarje. Mjeti që drejtohej nga 48-vjeçari Sulkja ka përfunduar në kanal. Atëherë mësohet se mjeti Benz ka ulur shpejtësinë dhe mbi makinën është qëlluar me dy armë njëherësh. Plumbat kanë kapur edhe një 23-vjeçar, i cili u gjend rastësisht në rrugën e atentatit, i cili sipas policisë quhet M. Balliu dhe është banor i fshatit Gosë të Kavajës. Dy të plagosurit janë nisur menjëherë në drejtim të spitalit të Durrësit, ndërsa policia ka nisur punën me ngritjen e postblloqeve, të cilat të gjitha kanë dështuar. Makina, që dyshohet se iu përket atentatorëve, është gjetur e djegur në një fshat të Lushnjes, brenda së cilës edhe dy armë kallashnikovë, thotë policia.
45-vjeçari që u ekzekutua mesditën e djeshme teksa kthehej në qelinë ku vuante dënimin prej 8 vitesh, mësohet se është përfshirë herët në botën e krimit. Ai është akuzuar, hetuar, gjykuar dhe dënuar për një sërë veprash të rënda penale, ku përveç të tjerave, edhe për ekzekutimin e pesë personave brenda një dite. Të konsideruar si rivalët e bandës së Lul Berishës, e njohur si “Banda e Durrësit”, një më gjakësoret në vend, të krijuara në vitin 1997, Gjepali vepronte me grupin e tij kriminal në Shijak. Ai u dyshua dhe u akuzua për një vrasje që në vitin 1993, që ka ndodhur në Zvicër, por që asnjëherë nuk iu vërtetua. Ai qëndroi përgjatë tri viteve që nga `97 deri në vitin 2000 nëpër zonën e tij bashkë me grupin, ndërsa të vetmet akte të rëndë kriminale, për të cilat u përfol emri i tij, kishin të bënin me vrasjet e një nate, që të gjitha të kryera për të krijuar terror dhe anarki në zonën e Durrësit./Shekulli