Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në kuadër të seancës së 117-të me 54 vota “pro” dhe 19 “kundër” zgjodhi Svetlana Nikolloska për anëtare të Komisionit të barazimit të politikës ndëshkuese.
Për opozitën Nikolloska, e cila është kriminologe e diplomuar, është e papërshtatshme ta kryejë këtë funksion pasi atë vend mund ta marrë vetëm një jurist i diplomuar. Për deputetët nga pushteti ajo është mjaft profesioniste, këtë e tregon edhe biografia e saj.
Pa debat, me 56 vota “pro”, 3 “abstenim” dhe 8 vota “pro” nga pjesëtarët e bashkësive në pakicë Kuvendi e miratoi edhe Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Avokatin e Popullit me të cilin bëhet harmonizimi me parimet e Parisit.
Pa debat deputetët miratuan edhe Raportin për realizimin e Programit vjetor për Agjencinë për lundrim ajror civil për vitin 2015 dhe vendimin për dhënien e pajtueshmërisë në propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Planit vjetor financiar të Agjencisë për lundrim ajror civil për vitin 2016.
Seanca do të vazhdojë nesër në orën 12.