Site icon PORTALB

Kosovë, atmosferë pozitive në procesin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura

Isa Mustafa

Isa Mustafa

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, sot ka zhvilluar një takim me shefen e re të Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, zëvendës shefen e Misionit të OSBE-së, Paivi Nikander dhe Ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se në takim u bisedua rreth procesit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat janë lehtësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel. Duke theksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, u vlerësua se në kohët e fundit është krijuar një atmosferë pozitive në këtë proces.

“Gjatë takimit, po ashtu, u bë e ditur se është kompletuar Ekipi Menaxhues, i cili në bashkërendim me insititucionet e Republikës së Kosovës, OSBE-në, BE-në dhe me përkrahjen e Ambasadës Amerikane, do të punojë në hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në harmoni të plotë me marrëveshjen e vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, thuhet në njoftim nga Zyra e Kryeministrit.

 

Exit mobile version