Site icon PORTALB

Reforma zgjedhore me “një njësi zgjedhore dhe me lista të hapura” për R. e Maqedonisë

Muharem Emshiu

Shtete të ndryshme demokratike aplikojnë sisteme të ndryshme për zgjedhjen e përfaqësuesëve të tyre siç është parlamenti. Mënyra se si një shtet e përkthen votën e qytetarëve në mandate parlamentare përcaktohet nga faktorë të ndryshëm të cilët ndërlidhen me specifikat e vendit si: natyra e shtetit, traditat, përbërja demografike, ndarjet rajonale, etj.

R. e Maqedonisë aktualisht ka sistem proporcional me lista të mbyllura, e cila ka 123 ulëse në parlament zgjedhen përmes garave proporcionale në gjashtë zona elektorale. Zonat elektorale janë të përcaktuara arbitrarisht në bazë të ligjit zgjedhor në mënyrë që të kenë numër të përafërt apo të barabartë votuesish. Çdo zonë zgjedhore dërgon numër të njejtë prej 20 deputetësh në Parlament. Listat e partive janë të mbyllura, ndërsa nuk aplikohet ndonjë prag zgjedhor. Përkthimi i votave në mandate zgjedhore bëhet përmes formulës D’hondt.

Në R. e Maqedonisë të kemi “një zonë zgjedhore dhe me lista të hapura”. Të vendoset pragu zgjedhor i cili të jetë 6% për koalicione, 4% për partitë politike dhe 2.5% për kandidatët e pavarur. Të garojnë për 90 ulëse në parlament. Përkthimi i përqindjeve të fituara në mandate parlamentare të përdoret duke përdorur formulën “Droop quota” ndërsa në parlament futen kandidatët që kanë numrin më të madh të votave brenda listës së parties.

Ndërsa listat e hapura do ti mundësojnë qytetarit që përveç mundësisë që të votojë për listën e kandidatëve partiak ose të koalicionit të votojë edhe një ose më shumë kandidatë të listës së propozuar, në bazë të votimit preferencial dhe me këtë të ndikojë në zgjedhjen përfundimtare.

Ndërsa gati gjith shtetet kanë prag zgjedhor të cilat partitë dhe koalicionet duhet ta kalojnë në çdo zonë zgjedhore për të fituar mandate si – Kroacia 5%, Sllovenia 4%, Shqipëria 3% për partitë dhe 5% për koalicionet. Ndërkohë të gjitha shtetet përveç Kroacisë kanë edhe kuota për përfaqësimin e femrave në listat zgjedhore – Sllovenia 25%, Maqedonia 30% dhe Shqipëria 30%.

Exit mobile version