Dhjetëra të vrarë, shumica militantë, është bilanci nga një valë sulmesh që ka përfshirë Irakun të hënën, në kohën kur vendi po kremton Kurban Bajramin, raporton Anadolu Agency (AA).
Militantët e DAESH-it sulmuan shtabin e forcave të sigurisë në al-Rutba, qytet në perëndim të Irakut, deklaroi për AA zyrtari policor Ahmed al-Duleimi.
“Tre policë u vranë gjatë përleshjeve me sulmuesit”, tha ai për të shtuar se në sulmin në fjalë kanë mbetur të vrarë 11 militantë të DAESH-it.
Në veri të Irakut raportohet për 16 militantë të DAESH-it të vrarë gjatë një sulmi ajror të kryer nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA-të në qytetin e Musulit.
Aktualisht forcat irakiane janë duke përgatitur një ofensivë për të rimarrë Musulin i cili që nga viti 2014 mbahet në kontroll nga DAESH-i.
Ndërkohë, nga shpërthimi i një bombe humbi jetën një polic dhe u plagosën tre të tjerë në jug të Bagdadit, ndërsa shpërthimi i një pajisjeje tjetër në lindje të qytetit la të vdekur dy persona dhe 11 të tjerë të plagosur.
Autoritetet irakiane kanë vendosur mijëra forca për të siguruar mbarëvajtjen e festës së Kurban Bajramit pasi militantët shpesh përdorin festat për të kryer sulme.