Site icon PORTALB

Gjysmëhëna e Kuqe Turke ndihmon të prekurit nga përmbytjet në Shkup

Gjysmëhëna e Kuqe Turke

Pas përmbytjeve që ndodhën në muajin e kaluar në Shkup të cilat morën jetën e 22 personave dhe të cilat shkaktuan dëme të mëdha materiale, Gjysmëhëna e Kuqe Turke sot bëri shpërndarjen e aparateve të teknikës së bardhë për të prekurit nga përmbytjet, raporton Anadolu Agency (AA).

Në shpërndarjen e aparateve të teknikës së bardhë në lagjen Hasanbeg të Shkupit e cila ishte një ndër vendbanimet me dëme më të mëdha mori pjesë, Ambasadori i Turqisë në Shkup Ömür Şölendil, Zv/Kryetari i Gjysmëhënës së Kuqe të Turqisë, Ismail Hakki Turunç dhe delegacioni me to.

Ambasadori Şölendil në deklaratën për gazetarët, tha se Turqia me të gjithë institucionet që nga dita e parë e përmbytjeve ka qenë pranë shtetit vëlla dhe mik Maqedonisë dhe se ka nisur aktivitetet e saj për t’iu ndihmuar njerëzve në këtë vend.

Ai potencoi se së bashku me Gjysmëhënën e Kuqe Turke, Kryebashkinë e Stambollit, Komunën e Bursës, AFAD-in (Drejtoria Turke për Menaxhimin e Katastrofave dhe Gjendjeve Emergjente), TIKA-n , komunat në vend, Kryqin e Kuq, organizatat joqeveritare në vend kanë ofruar ndihma të llojit të ndryshëm për banorët e prekur nga përmbytjet.

“Ndihmat ende po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë. Deri më sot Turqia ka ofruar ndihmë në vlerë prej 850 mijë euro. Pa mos bërë dallim do të vazhdojmë të ndihmojmë popullin mik dhe vëlla të Maqedonisë”, tha Şölendil.

Edhe Turunç theksoj se pa bërë dallime mbi baza të përkatësisë etnike vazhdojnë me pastrimin e rrugicave, shtëpive dhe faltoreve.

Turunç tha se ekipet e Gjysmëhënës së Kuqe Turke ndodhen në vend me qëllim të koordinimit të aktiviteteve për ndihmë.

”Edhe sot do të vazhdojmë të shpërndajmë ndihmë. Ndihma e vërtetë do të vijë pas Bajramit. Me materialet e ndihmës që vijnë nga Turqia ne do ti përmbushim nevojat e popullatës. Kemi sjellë 20 kamionë me material ushqimor, veshje dhe materiale higjienike. Me këtë jemi munduar të ndihmojmë këtu”, tha ai.

Ai tha që njerëzit po ballafaqohen me probleme serioze sa i përket teknikës së bardhë. “Sot në mënyrë simbolike do të ndihmojmë diku 10 familje me teknikë të bardhë. Puna jonë e vërtetë do të ndodh pas Bajramit. Për 1500 familje do të ofrojmë ndihmë. Dikujt do ti ofrojmë lavatriçe, dikujt frigorifer, dikujt dicka tjetër. Ne do ti ndihmojmë të gjithë ata që kanë pësuar pa dallim a është shqiptar, maqedon, turk apo boshnjak”, tha ambasadori turk në Maqedoni.

 

Exit mobile version