Lideri suprem fetar saudit Abdulaziz al Sheik sot e ashpërsoi retorikën ndaj iranianëve duke theksuar se ata “nuk janë myslimanë”.
Deklarata e tij vijoi një ditë pasi udhëheqësi suprem iranian Ali Hamnei deklaroi se autoritetet saudite i kanë “vrarë” haxhinjtë myslimanë të cilët pësuan vitin e kaluar gjatë haxhit në Mekë.
Al Sheik deklaroi se akuzat e Hamnei “nuk janë befasuese” sepse iranianët janë pasardhës të “zaratustrianëve” dhe për shkak të kësaj “nuk janë myslimanë”.
“Antipatia e tyre ndaj islamit, e posaçërisht ndaj sunitëve është shumë e vjetër” shtoi myftiu i madh saudit.
Një numër i madh iranianësh janë shiitë, ndërkaq në Arabinë Saudite jetojnë një numër i madh sunitësh.
Lideri suprem fetar iranian, ajatollahu Ali Hamnei i bëri thirrje tërë botës myslimane të mendojë nëse Arabia Saudite duhet të menaxhojë me vendet e shenjta islame Mekën dhe Medinën, sepse “shkuarjen në haxh e kanë shndërruar në udhëtim turistik”.
Hamnei e akuzoi Arabinë Saudite se është përgjegjëse për mbytjen e mijëra njerëzve gjatë haxhit në vitin 2015. Në stampedo gjatë haxhit në Mekë vitin e kaluar e humbën jetën të paktën 2.456 njerëz, prej të cilëve më shumë 464 iranianë.
“Ata që e shndërruan haxhin në udhëtim turistik, ata që nuk e fshehin armiqësinë ndaj popullit revolucionar iranian, ata që e politizojnë religjionin, nuk janë asgjë tjetër përveç se shpirtra burracakë të këqinj, të cilët dridhen gjatë çdo dështimi të shejtanit të madh – SHBA-së”, deklaroi ajatollahu.
Ai theksoi se “tragjedia në vitin 2015 nuk u përputh rastësisht me vendosjen e marrëdhënieve miqësore mes Riadit dhe cionistëve. Sauditët i harruan vuajtjet më të tmerrshme të palestinezëve për liri dhe pavarësi”.
Ajatollahu Ali Hamnei është i shqetësuar për shkak se Irani nuk ka marrë kuotë për haxh këtë vit, duke shtuar se zgjidhja e vetme për situatën aktuale është t’u merren “tiranëve lakmitar” të dy vendet e shenjta dhe “t’i jepet kjo përgjegjësi tërë botës myslimane”.