Site icon PORTALB

Gjashtë rregulla të shkurtra për mirësjellje virtuale

Arsim Jonuzi

Arsim Jonuzi

Ky është projekti “Mirësjellja virtuale” – fushata për tentim për risocializim të përdoruesve të mjeteve virtuale (rrjeteve sociale, celularëve etj.)

Rregulli 1 – Një porosi me një të dërguar

Përdoruesit e botës virtuale (Facebook, SMS, Viber etj.), shpeshherë, një porosi që e kanë për ta dërguar, e dërgojnë në më shumë se një porosi. Kjo është neveritëse. Për shembull, në vend se të shkruajnë:

“I nderuar mik imi,

Po të shkruaj në lidhje me atë çështjen për të cilën biseduam dje…”

Ata shkruajnë:

“I nderuar mik imi”

“Po të shkruaj”

“Në lidhje”

“Me atë çështjen”

“Për të cilën”

“Biseduam”

“Dje”

Dhe, kështu, ky komunikim/bisedë bëhet neveritës për pranuesin.

Ajo çfarë duhet bërë është të shënohet e gjithë ajo që ka për t’u thënë dhe pastaj të dërgohet porosia – qoftë në Facebook, në celular (përmes SMS-it), në Viber apo kudoqoftë.

 

Rregulli 2 – Shënimi i porosisë me shkronja të vogla

Përdoruesit e botës virtuale (Facebook, SMS, Viber etj.), disa herë, sidomos statuset në Facebook, i shënojnë të gjitha me shkronja të mëdha. Sikur të bënim analogji, kjo i vjen sikur bërtitje! Është e kuptueshme kur njerëzit kanë emocione apo shprehin diç eksituese ose ngjashëm, mirëpo, si parim, është e patolerushme vazhdimisht të lexojmë statuse, shkronjat e të cilave janë të gjitha të mëdha.

 

Rregulli 3 – Pa thënë “A je këtu?”

Një nga rregullat që duhet doemos të zbatohet nga përdoruesit e botës virtuale, sidomos, në këtë rast në Facebook & Viber, është të mos pyetet bashkëbiseduesi “A je këtu?”, për vetë arsyen e parë logjike se as njëri e as tjetri nuk janë hapësira fizike, pa të mund të jemi aty apo jo. Apo jo? Ëh? A e keni menduar?

Arsyeja e dytë është se sot të gjithë jemi të lidhur përherë me të dy këto që përmendëm, prandaj ne kemi nevojë ta marrim porosinë dhe nëse jemi aty – e kthejmë; nëse nuk jemi, nuk e kthejmë, derisa ta shohim.

Do të flasim ndonjëherë tjetër në lidhje me kthimin e shpejtë të porosive që na vijnë.

 

Rregulli 4 – Mos i etiketo miqtë e tu në Facebook pa nevojë!

Një ndër rregullat që duhet të kemi parasysh gjatë “banimit” tonë në Facebook (e në rrjetet tjera sociale) është edhe çështja e etiketimit të miqve në fotografi. Kjo shkakton bezdi. Vetëm duhet të dalësh në anën e të etiketuarit disa herë dhe do ta vëresh se sa e bezdisshme është kjo gjë.

Është e kuptueshme ndjenja e socializimit virtual dhe nevoja që ndonjëherë të etiketosh ndonjë shok të listës që ke, por kjo duhet të ndodhë sipas nevojës së vërtetë, eventualisht diçka që është e ndonjë rëndësie të madhe për atë që e etiketon.

 

Rregulli 5 – Mos bëj “Check-in” pa nevojë!

Po qe se nuk do të kemi një druajtje për sjelljet dhe veprimet tona virtuale, mbase do të bezdisemi nga qëndrimi ynë në Facebook (e në rrjetet tjera sociale). Përndryshe, do të shkëputemi nga shoqërimi me anëtarët e tjerë të pranishëm dhe vetëm sipërfaqësisht do të qëndrojmë miq me ta. A është kjo ideja për se Facebook-u ka bërë këtë platformë apo thjesht pse ne jemi në këtë platformë? Që të shkëputemi pasi të jemi lidhur?

“Check-in-i” është një kënaqësi çasti për atë që e bën atë, por a mund ta themi edhe për ata që e shohin atë? Pra, përderisa nuk ka ndonjë domosdoshmëri në tregimin e vendit se ku je dhe çfarë je duke bërë në të, atëherë mos e bën! Kurseji shokët e tu nga informata të panevojshme! Kurseje edhe veten! Mos harro se tregimi i vazhdueshëm i vendit ku je përshfaq se nuk je i përmbushur me gjendjen që po të rrethon. Sikur, meqë nuk po mundesh ta lumturosh veten, po mundohesh të riarrish atë lumturi me pëlqimin e komentimet e njerëzve/shokëve të tu. Në shikimin e fundit kjo po na e tregon këtë.

Ose gjithë këtë porosi shpërfille, por mund të ndodhë që njerëzit të mos vazhdojnë të të përcjellin më.

 

Rregulli 6: Mos u shkruaj njerëzve në orë të vona!

Është e domosdoshme të kemi parasysh privatësinë dhe mosengimin e njerëzve. Kuptohet që ka të bëjë edhe me jetën reale, po sidomos jeta virtuale është bërë më e cenueshme në ditët e sotme. Kësaj cenueshmërie duhet t’ia arnojmë shqyerjet, për të mirën e të gjithëve. Një prej aspekteve të arnimit të cenueshmërisë së botës virtuale është mospengimi në orët e vona.

Ndoshta për dikë kjo nuk çon peshë. Mbase për ata që çojnë jetë nate e ndoshta edhe për ata që statusi social u lejon të mos kenë barriera për të pasur qasja te ta. Por vriteni mendjen pak për ata që nuk bëjnë pjesë në këtë kategori. Një mik imi, me të cilin po diskutoja bërthamën e këtij shënimi, më pati thënë që njerëzit që janë të cenueshëm në këtë aspekt, është mirë të çkyçen nga qasja në internet prej çastit kur nuk duan t’u vijnë bezdisje nga të tjerët. Pajtohem. Ide e mirë. Por si do t’ia bëjnë të tillët po qe se duan të shfrytëzojnë internetin për gjëra të tjera, jashtë komunikimit me këdo në atë kohë?

Mirësjellja e logjikshme që po parashkruajmë këtu do të thoshte që nuk është e udhës t’u shkruajmë njerëzve në orët e vona. Përjashtim bëjnë urgjencat dhe, që përbëjnë kategori të veçantë, ata që janë marrë vesh që komunikimin ta bëjnë në këtë kohë, por – ta shqyrtojmë këtë çështjen e urgjencave – kur urgjencat bëhen shpesh, ato më kalojnë në shprehi. Thelbi i shënimit në fjalë është diskutimi i shprehisë së të shkruarit në orë të vona.

Aq më e vështirë bëhet situata për shkak se në faqet a aplikacionet e tanishme të komunikimit tashmë është bërë standard qenia e mjetit të pranimit/leximit të porosisë. Gjykimi dhe marrja masa në bazë të konstatimit të leximit të porosisë është po aq kundërvajtje e rëndë sa vetë dërgimi. Madje, është dyfishim i shkeljes.

Shoqëritë tona po vuajnë nga këto anomali. Do të ishte mirë të hynim më shpesh në lëkurat e njerëzve për të kuptuar shkallën e gabimit. Zaten, për shkak se nuk po e bëjmë këtë po kemi kaq mospajtime me njëri-tjetrit.

Exit mobile version