Site icon PORTALB

Uzbekistani në zi, varros presidentin Karimov

Mijëra njerëz kanë dalë përgjatë rrugës, nëpër të cilën kalonte kortezhi me arkivolin e presidentit të ndjerë Islam Karimov

Në Uzbekistan sot varroset presidenti Islam Karimov, vetëm një ditë pasi Qeveria njoftoi për vdekjen e liderit autoritar .Karimov vdiq si pasojë e hemorragjisë në tru.

Karimov që vdiq në moshën 78-vjeçare, do të varroset në qytetin e tij të lindjes, Samarkand, që gjendet rreth 300 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Tashkent.

Televizioni shtetëror ka shfaqur arkivolin e Karimovit të mbështjellë me flamurin kombëtar, teksa është dërguar në Aeroportin Ndërkombëtar të Samarkandit, nga Tashkenti.

Gruaja e Karimovit, Tatyana dhe vajza Lola Tilllyaeva-Karimova, kanë ecur prapa arkivolit.

Mijëra njerëz kanë dalë përgjatë rrugës, nëpër të cilën kalonte kortezhi, nga aeroporti deri në shtëpinë, që televizioni shtetëror ka thënë se i përket stërgjyshit të presidentit të ndjerë.

Më herët, gjatë ditës, skena të ngjashme janë parë edhe në Tashkend, ku mijëra njerëz kishin dalë përgjatë rrugës, teksa arkivoli i Karimovit dërgohej në aeroport.

Shumica e njerëzve mbanin në duar lule, kryesisht trëndafila të kuq, që i hidhnin në rrugën ku kalonte vetura që bartte arkivolin.

Televizioni shtetëror ka shfaqur ushtarët, të cilët bartnin arkivolin për në aeroport, duke e përshkruar këtë ngjarje si rrugëtimin e fundit të Karimovit për në Samarkand.

Duke cituar zyrtarët në Samarkand, agjencitë e lajmeve ruse kanë raportuar se arkivoli i Karimovit, do të vendoset në sheshin kryesor të qytetit, ku njerëzit do të kenë rastin që të shprehin respektin e tyre, përpara se ai të varroset në varrezat aty afër, më vonë.

Kryeministri Shavkat Mirziyaev, i cili nga të huajt po konsiderohet si pasardhësi i mundshëm i Karimovit, është caktuar si përgjegjës për ceremoninë e varrimit.

Uzbekistani njoftoi për vdekjen e Karimovit të premten, pas dy ditësh raportime, të cilat sugjeronin se lideri uzbek tashmë kishte vdekur.

Televizioni shtetëror uzbek ka thënë se Karimov ka vdekur në Tashkent në orën 20:00 sipas kohës lokale, pas hemorragjisë në tru.

Ndërkaq, Qeveria ka shpallur tri ditë zie.

Karimov ka sunduar në Uzbekistan për 27 vjet, duke përdorur forcat e sigurimit dhe të inteligjencës së vendit, që ta mbajnë vendin nën kontroll.

Kushtetuta e Uzbekistanit thekson se nëse presidenti nuk është në gjendje që të kryejë detyrat e tij, kreu i Dhomës së Lartë të Parlamentit e merr autoritetin presidencial për një periudhë prej tre muajsh. Në këtë pozitë në Uzbekistan është Nigmatulla Yuldashev.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka shprehur ngushëllime Yuldashevit, duke thënë se vdekja e Karimovit është një “humbje e madhe për Uzbekistanin”.

“Unë jam në zi për humbjen e një miku, me të cilin kam punuar për 30 vjet”, ka thënë presidenti kazak, Nursultan Nazarbajev.

Rusia dhe Kazakistani, si dhe Kirgizia, kanë dërguar kryeministrat dhe jo presidentët që të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit.

Presidenti kinez, Xi Jinping, i cili ksihte vizituar Tashkentin në qershor, ka shprehur ngushëllimet për humbjen e Karimovit, të cilin e ka cilësuar “mik të vërtetë”, i cili, sipas tij, ka bërë “ndryshime historike” në zhvillimin dhe prosperitetin e Uzbekistanit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se në “këtë kohë të vështirë, SHBA-ja rikonfirmon mbështetjen për njerëzit e Uzbekistanit”.

“Teksa Uzbekistani fillon një kapitull të ri në historinë e tij, SHBA qëndron e përkushtuar për bashkëpunimin me Uzbekistanin, për sovranitetin, sigurinë dhe të ardhmen bazuar në të drejta për të gjithë njerëzit”, thuhet në deklaratën e Obamas. /REL

Exit mobile version