Site icon PORTALB

Han dhe Mogerini e përshëndetën marrëveshjen për mbajtjen e zgjedhjeve në Maqedoni

Komisioni Evropian

Përfaqësuesja e lartë Federika Mogerini dhe eurokomisioneri për Zgjerim Johanes Han në një deklaratë të përbashkët kanë përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes së mbrëmshme për mbajtjen e zgjedhjeve më 11 dhjetor.

“Ne mirëpresim arritjen e marrëveshjes ndërmjet udhëheqësve të katër partive kryesore politike dhe vendimeve që ata morën për zbatimin e marrëveshjes së tyre politike të vitit të kaluar, duke përfshirë caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 dhjetor”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratën e tyre ata i bëjnë thirrje të gjitha partive politike të respektojnë në mënyrë rigoroze një proces të besueshëm zgjedhor, për t’u lejuar të gjithë qytetarëve një zgjedhje të lirë dhe, pas zgjedhjeve, për të ndërtuar një qeveri që merret me reformat e rëndësishme dhe punon për interesat e të gjithë qytetarëve.

“Të gjitha forcat politike duhet urgjentisht të shtojnë përpjekjet e tyre për të zbatuar pjesën tjetër të marrëveshjes politike, duke përfshirë Reformat prioritare urgjente”, citohet në deklaratën e Han dhe Mogerinit.

Ata theskojnë se Bashkimi Evropian do të vazhdojë mbështetjen e tij për këtë proces dhe për të ndihmuar që vendi të kthehet në rrugën e integrimeve euroatlantike.

Exit mobile version