Historia na ka dhënë leksionin e madh për periudhat post-revolucionare.
Mahnitjet e mëdha janë kthyer në zhgënjime të mëdha.
Euforitë e mëdha janë pasuar me rënie të tmerrshme morale.
Idealistët kanë rënë në dëshpërim, kanë vdekur nga mërzia.
Grabitësit e fitores janë lartësuar në kulme pushteti dhe lavdie të rrejshme.
Ata që kanë bërë thirrje për drejtësi, liri e vëllazëri, janë bërë armiqtë më të mëdhenj të këtyre idealeve.
Revolucioneve, thotë leksioni i historisë, u mungojnë potencialet intelektuale, ndonëse janë të pashmangshme. Ata bëhen për shkak të lirisë së munguar.
Në periudhat post – revolucionare lartësohen mendje mediokre, me ambicie të mëdha, mundësi të vogla dhe me mungesë ndjenje të përgjegjësisë publike.
Jam adhurues i paqes, sepse, mjeshtrit më kanë mësuar, se koha e paqes është koha e mendimit.
Ne vuajmë në këtë kohë “faktorësh”, sepse i mendojmë më të fuqishëm se sa janë në të vërtetë. I shikojmë si luftëtarë.
Luftëtari i vërtetë asnjëherë nuk dhunon.
Luftëtari i vërtetë është i drejtë, i fisëm, krenar dhe nuk është egoist.
Atdheu i luftëtarit të vërtetë nuk është oborri i tij.
Kombi për luftëtarin e vërtetë nuk është vetëm farefisi apo fisi i tij.
Lufëtarët që hiqen trima me të pambrojturit janë frikacakë të mëdhenj.
Janë vegla në duart e huaja.
Janë të fuqishëm, sepse ne jemi të dobët e të përçarë.
Janë hijena që kafshojnë keq, sepse e dinë se ua kemi frikën.
Ata si djajtë ushqehen me frikën e njeriut.
Hiqeni frikën dhe shihni sa qyqarë janë!
Luftëtari i vërtetë nuk e duron qyqarrllëkun, pavarësisht çmimeve që mund të paguajë.
Luftëtari i vërtetë është luftëtari i paqes.
Ai që bën gjithçka vetëm për të mirat e tij, nuk është luftëtar, por tuxhar.
Me tuxharin secili mund të bëjë pazar.
Tuxharit i intereson vetëm interesi personal.
Për të atdheu është i mirë kur ai është mirë.
Luftëtari i paqes është në paqe me mendimet e tij.
Luftëtari i paqes është në paqe me ndërgjegjen e tij.
Luftëtari i paqes ec rrugës që vetë e ka zgjedhur.
Luftëtari i paqes nuk ec rrugës që ja kanë zgjedhur të tjerët.
Luftëtari i paqes nuk bën beteja për plaçka lufte.
Luftëtari i paqes nuk kërkon dhe nuk merr pension luftëtari.
Luftëtari i paqes asnjëherë nuk merr dekorata veterani.
Luftëtari i paqes është përherë i ri.
Në secilën kohë.
Luftëtari i paqes ndërton për kohën e tij dhe kohën që do të vijë.
Betejat e luftëtarit të paqes nuk përfundojnë asnjëherë.
Paqja gjithmonë është më e rëndë se lufta.
Liria është më e rëndë se sa robëria.
Luftëtari i paqes nuk e duron lartësimin e të fuqishmëve.
Luftëtari i paqes e synon lartësimin e të mëdhenjve.
Një kombi që i mungojnë luftëtarët e paqes ai është humbës.
Të gjitha betejat e fituara të luftës lejon t’i këmbehen nga disa plaçkaxhinj.
Ai komb ngushëllohet e trimërohet me lavditë e së kaluarës dhe dridhet para robëruesve të së sotmes.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.