Nuk më kujtohet si jemi njohtuar…më mirë e ka thënë vetë ai me tjetër sebep:
“Aq shumë kohë ka kaluar
sa s’mban mend”.
…të shkruaj për mbështetjen kur të duhet një mik? …atëherë kur miqtë e rrejshëm janë me difolt “të zënë” dhe u rikujtohesh vetëm kur u duhesh. Kjo përbën “në sherr hajër”: ndihmon të kategorizosh njerëzit ose ti diletosh nga celulari. Vitet na mësojnë se kush të përkrah kur ke nevojë – përherë e bën, kush s’lodhet për ty – nuk do lodhet as herën tjetër. Luli shquhet me përkrahje fine, pa imponime por me efekt. E mbaj mend një nasihat me aplikim universal “mos e sforco tash as pikëllimin as gëzimin…”.
…të shkruaj për udhëtimet nëpër Maqedoni kur më ndihmonte nga larg?…mbaronte ngjarja kulturore në mbrëmje dhe vetëm atëherë nisja të kërkoj vend në hotel e vend ndodhte të mos ketë ose çmimi të jetë si me thënë palidhje. Atëherë një telefonatë e tij në hotelet ku ka status special me seminaret që organizon si aktivist qytetar, një recepcionist i kthyer në shok të tij i cili siguron dhomë si të Përhiturës kur tjetër nuk ka…Anegdotike janë këto episode.
Miqësitë e përziera e kanë rrezikun e kalimit nga një gjendje në tjetër më të ngushtë dhe nxitjet e tilla vijnë kryesisht nga ana mashkullore për shkaqe biologjike e kulturologjike. Luli asnjëherë, as për bela, nuk ka shkelur vijat e demarkacionit.
25 vjet miqësi.
Më gjatë se sa me të shoqërohem vetëm me shokun e bankës nga fillorja.
Qindra kafe në Picasso buzë Vardarit. Vetëm apo me miq. Qerthulli i artistëve të Gostivarit me përmasa jolokaliste.
Takimet sado që zgjasin të shkurtëra na bëhen. Shumëçka mbetet e pathënë, shumëçka vetëm shkarazi e përmendur dhe e lënë për tjetërherë…por edhe kur kapim një vijë bisede shpesh digresionet dalin më interesante se sa tema. Kur ulen miqtë e niveleve të përafërta energjetike koha ec padiktuar dhe në fund ndihesh më e plotë, më e koordinuar me vetveten.
Vitet na mësojnë se vetmia është gjendje luksoze. E kanë pasur ose gjakuar të gjithë krijuesit…vepra mund të ngjizet në zhurmë, mes njerëzve inspirohesh, por siç e thotë Luli “kënga lind në vetmi” – cikli i tij i shkëlqyer për llojet e ndryshme të bukura dhe më pak të bukura të të qenit vetëm kur “dyshimi rri pingul mbi kokë”.
“Ditë e mirë është kur zgjohem në jastëk flokësh…
Ditë e mirë është kur pij kafe ekspres…
Ditë e mirë është kur kam cilës t’i pëshpëris në vesh”.
Veçoj dy diagnoza të tij mbi dashurinë:
“Vërtet një shikim është dashuri
Por dashuria nuk është një shikim”
dhe
“Dashurinë për ty e zgjoj në mua kur të dua” – refren antologjik nga një poezi e tij e viteve të fundit, e tëra e arrirë.
Në ca krijime ka ritmin dhe atmosferën e Bukovskit:
“Bisedon me renë e kafesë
Me duqet e cigares
Pret flladin e fjalëve
Kokën t’ia shërojë si një aspirinë”.
Këngën e tij “Nje gjeth çaji mbaj në gojë” duhet printuar, dizajnuar dhe bashkangjitur tavolinave të çajtoreve. Shmek.
“Muri i mbështetjes”.
Poezia a la Ginsberg “Sa para ke në xhep”, shëruese në kohën kur, nuk e kuptoj pse, dëshirat lidhen kryekëput me paret!
Dhe një poezi mbi kulturën dhe traditën e kafepirjes që është institucion në vete:
“Në shikimin tënd mospërfillës
Në cigaren që në gishta të varet
Në gllënjkat e shkurtra të kafesë
Shihet vjetërsia vendi yt
Më bëhet se ke lindur këtu”.
…Për poezinë e Lulzim Hazirit mund të shkruaj gjatë dhe jomjaftueshëm.
Poezi e qytetëruar që lyp “një dorë të sigurtë” për ta eksportuar jashtë.
Për M25 mund të shkruaj gjatë dhe prap shumëçka të mbetet e pathënë.
p.sh nuk përmenda dizajnin e çorapeve që duken pak minuta pasi ta takosh Lulin.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.