Site icon PORTALB

Përurohet ura e tretë mbi Bosfor (Foto)

Ura e re e Bosforit

Ura që lidh dy anët e Turqisë, atë europiane dhe aziatike të qytetit të Stambollit, është një tjetër vepër e madhe që shkrin kufijtë mesh kontinenteve.

Në fjalën e tij gjatë përurimit të urës, Erdogan, ndër të tjera, tha: “Ne po lidhim kontinentet … për këtë kemi të drejtë të festojmë dhe të jemi shumë krenarë. Populli ynë e meriton këtë. Me lejen e Zotit, ky komb do të marrë atë që meriton. E sotmja është një ditë  e madhe dhe shumë e bukur.”

Tullumbace të kuqe dhe të bardha janë lëshuar gjatë ceremonisë së hapjes, në të cilën ishin të pranishëm personazhe politike të Turqisë, por edhe vendeve të tjera të Ballkanit.

Ceremonia e hapjes së urës u ndoq nga Kryeministri bullgar, Bojko Borisov, Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, Mbreti Hamad Bin Isa al-Khalifa i Bahreinit, si dhe Presidenti i Republikës Turke të Qipros Veriore, Mustafa Akinci. Po ashtu, ishin të pranishëm edhe zyrtarë të lartë nga Pakistani, Gjeorgjia dhe Serbia.

Kryeministri turk, Binali Yildirim, tha se prania e shumë personaliteteve të mbledhur gjatë këtij përurimi dëshmon se ura “nuk do të shërbejnë vetëm për Stambollin, por është një urë historike që fillon nga Lindja e Largët, dhe u jep fund ndasive në Evropë e Azi. “Yavuz Sultan Selim” është një shenjë civilizimi që lidh njerëzit e të gjitha kontinenteve.”

Qeveria turke shpreson se ura, përveç të tjerave, do të ndihmojë edhe për të ulur ndotjen e ajrit dhe për të shpëtuar rreth 1.45 miliardë dollarë nga shpenzimet e energjisë, si dhe 335 milionë dollarë nga shpenzimet e punës. Ura garanton një kapacitet prej 135.000 makina çdo ditë.

Ura e tretë mbi Bosfor është e pazakontë, jo vetëm për gjerësinë e saj që ka vendosur një rekord të ri, por edhe sa u përket kabllove që e mbajnë – të mbështetura tek dy shtyllat kryesore të saj, të cilat, po ashtu janë të jashtëzakonshme përsa i përket lartësisë – 322 metra të gjata – vetëm dy metra më pak se kulla Eiffel.

Inxhinieri i njohur francez, Michel Virlogeux, projektuesi i urës dhe i shumë veprave të tjera madhore në Francë, tha se: “Kjo urë e vendos Turqinë në mesin e udhëheqësve të botës, është më spektakolarja e ndërtuar vitet e fundit.

Exit mobile version