Site icon PORTALB

Policia e Maqedonisë arreston shtetasin serb për trafikim të 47 migrantëve

MPB

MPB

Nëpunësit policor në Maqedoni, në një automjet transportues të llojit “Iveko” me targa regjistrimi nga Shkupi kanë gjetur 47 persona – migrantë nga Siria, Iraku, Pakistani dhe Afganistani, raporton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) thuhet se në autostradën Udovë-Negotinë, tek tunelet afër Demir Kapisë, dje rreth orës 07:30 policia zbuloi migrantët.

Siç thuhet në njoftimin e MPB-së, nëpunësit policorë dhanë shenjë për ndalimin e automjetit “Golf” me targa regjistrimi nga Shkupi dhe automjetit transportues “Iveko”, të cilët nuk u ndalën.

Makina u drejtua drejt Demir Kapisë, ndërsa automjeti transportues vazhdoi të lëvizë dhe në rreth 500 metra pas kryqëzimit u ndal, ndërsa shoferi doli dhe u arratis. Pas një kohe të shkurtër, thuhet në njoftim, shoferi u arrestua nga nëpunësit policor, me ç’rast u vërtetua se bëhet fjalë për personin N.S (38) nga Republika e Serbisë.

“Pas kontrollit të kryer të automjetit janë gjetur 47 persona-migrantë nga Siria, Iraku, Pakistani dhe Afganistani. Personi N.S së bashku me migrantët janë arrestuar dhe mbajtur në stacionin policor Negotinë për procedurë të mëtutjeshme. Nga ana e gjykatësit të procedurës paraprake shtetasit serb i është shqiptuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Autoritetet ngritën kallëzim penal kundër personit N.S për shkak të ekzistimit të dyshimit themelor për kryerje të veprës penale “trafikim migrantësh”, njoftoi MPB-ja.

Exit mobile version