Kjo bëhet për shkak të një pjese të komunitetit turk që jeton në këtë pjesë të Prishtinës, transmeton Lajmi.net.
Pak para 1 shtatorit, kur pritet edhe të fillojë viti i ri shkollor, kanë përfunduar edhe renovimet në 11 klasë të kësaj shkolle, në të cilat vijojnë mësimet nxënësit turqisht-folës.
Por jo gjithçka ka shkuar qetë gjatë këtij renovimi të shkollës. Organizata qeveritare turke “TIKA”, donatori kryesor me 100 mijë euro për renovimin e njëmbëdhjetë klasave, në tri prej tyre kishte vendosur disa orë me mbishkrimin e organizatës dhe flamurin turk.
Por këto orë, duket se janë bërë sherr i madh dhe, se kjo çështje është hiperbolizuar, duke i shndërruar në skandal mediatik.
Është Gani Mehmetaj, ish-drejtor i “Kosova Filmit” i cili me një postim të tij ka nxitur reagime shumë të mëdha në opinion.
Në profilin e tij në Facebook, ai kishte shkruar se në shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë, gjatë renovimit, një kompani turke kishte hequr portretin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, për ta zëvendësuar me flamurin e Turqisë.
Ai kishte shkruar se mësimdhënës nga kjo shkollë dhe prindër të nxënësve, do të protestojnë dhe nuk do të hyjnë në shkollë, derisa të hiqen flamujt e Turqisë. Ky status i Gani Mehemtaj, u shpërnda në shumë media e portale, duke u ngritur edhe si çështje.
Pas këtij statusi, lajmi.net kontaktoi me drejtorin e shkollës, Osman Vitia, i cili ka demantuar në mënyrë kategorike këtë status.
“Nuk është e vërtetë, portretet janë në vendin e njëjtë ku kanë qenë gjithmonë”.
Një gjë tjetër ai e bëri të ditur për lajmi.net që kompania e angazhuar nga TIKA turke, kur ka lyer muret u ka ofruar thjesht disa orë muri.
“Nëpër mure janë vënë disa ora që ne i kemi lejuar, në brendësi të tyre është nga një flamur turk, por kjo nuk ngjall asnjë problem. Një gjë e tillë nuk duhet ngritur si çështje problematike”, ka thënë drejtori i shkollës.
Ndërkaq, klasat të cilat janë të mbushura me nxënës shqiptarë nuk kanë ora të tilla në klasët e tyre.
Edhe kur u pyet nëse kjo ka ngjallur problem tek prindërit apo tek arsimtarët, ai ka thënë që jo, pasi kjo nuk u është imponuar askujt dhe ka qenë e lejueshme edhe nga ana e shkollës, madje prindërit nuk u kanë ndaluar nxënësve vijimin e mësimit, ashtu siç është thënë.
Megjithatë, vlen të përmendet se në shkollën fillore “Elena Gjika”, është edhe një klasë e veçantë me nxënës shqiptarë që janë shurdhmemec, e që vite më parë një organizatë portugeze ka investuar në atë klasë, e me këtë rast i kanë lënë një shenjë të vogël rikujtimi, gjë që shkolla vazhdon ende ta mbajë.