Rio 2016, atletet injorojnë medaljen, veprimi i tyre fiton respektin e të gjithëve
Një atlete nga Zelanda e Re dhe një nga SHBA, u kanë dhuruar dje mijëra shikuesve një moment me frymë të thellë olimpike, gjë kjo e cila i ka prekur të gjithë emocionalisht. Gjatë garës kualifikuese të 5000m Nikki Hamblin nga Zelanda e Re dhe amerikania Abbey D’Agostino u përplasën me njëra-tjetrën. Hamblin humbi ekuilibrin e saj dhe ra me fytyrë në fushën e atletikës duke marrë me vete edhe D’Agostino, e cila ishte duke vrapuar fiks prapa saj. Hamblin mbeti e rrëzuar, ndërsa D’Agostino u çua me nxitim dhe e tërhoqi për të vazhduar garën. Pak sekonda më vonë, ndërkohë që dy atletet po vazhdonin vrapin, D’Agostino tregoi sërish dhembje dhe kapi këmbën e saj të traumatizuar duke u shtrirë sërish në tokë.
Pas kësaj, Hamblin ndaloi vrapin dhe u kthye për të përqafuar D’Agostino dhe për ta ndihmuar të çohej. “Çohu, duhet ta përfundojmë këtë”, i tha Hamblin atletes tjetër.
Duke e injoruar kohën, të dy atletët përfunduan garën së bashku duke vrapuar pothuajse krah në krah, dhe pak para se Abbey D’Agostino të largohej me karrocë nga zona sportive, ato u përqafuan.
“Kur të kujtoj Lojërat Olimpike në Rio 2016, me siguri nuk do të kujtoj që e përfundova garën e fundit, por do të kujtoj këtë çast. Disa herë, mendoj, thjesht duhet të jemi njerëz më të mirë. Nëse nuk kisha ndaluar për ta ndihmuar, do të kisha fituar 10 ose 15 sekonda, por më besoni ato nuk kanë aspak rëndësi”, tha Hamblin.